Кumtesa|

30 qershor 2023, Shkup – Nga dita e sotme, qytetarët mund të blejnë, përkatësisht të regjistrojnë fletobligacione të qytetarëve, pas publikimit të Prospektit për ankandin e parë prej 600 milionë denarëve. Qytetarët mund të investojnë minimalisht 10.000 denarë me blerjen e një fletobligacioni, ndërsa norma e interesit, përkatësisht rendimenti që do ta marrin për investimin e tyre në fletobligacionin e qytetarëve është 5% në nivel vjetor. Kjo u bë e ditur në një konferencë për shtyp nga kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi, të cilët theksuan procedurën e thjeshtë të blerjes së fletobligacionit dhe përfitimet për paratë e investuara.

“Instrumenti i ri financiar në treg sjell përfitime të shumta, si për qytetarët, ashtu edhe për ekonominë në tërësi. Përfitimi i parë, si një nga përfitimet kryesore për qytetarët është fitimi, respektivisht rendimenti që do t’u sjellë fletobligacioni i qytetarëve. Fletobligacioni i qytetarëve ka interes kuponi prej 5% dhe me afatizim prej dy viteve. Përpos ndaj qytetarëve, fletobligacioni i qytetarëve sjellë edhe përfitime makroekonomike, respektivisht përfitime për të gjithë ekonominë. Mjetet që do të mobilizohen përmes ankandit të fletobligacioneve të qytetarëve do të shfrytëzohen për nevoja buxhetore, respektivisht për nevoja aktuale, për qëllime zhvillimore dhe investime në të mira të qëndrueshme. Në çdo rast, këto mjete nëpërmjet buxhetit do të injektohen sërish në ekonomi, si nëpërmjet konsumit, përmes pagesës së pagave dhe pensioneve, ashtu edhe nëpërmjet aktiviteteve investuese. Si rrjedhojë, do të nxitet aktiviteti ekonomik, që do të kontribuojë në përshpejtimin e rritjes ekonomike”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, theksoi se siç ishte premtuar, prospekti për ankandin e parë është publikuar në fund të muajit qershor dhe se qytetarët mund ta fillojnë procedurën për blerjen, përkatësisht regjistrimin e fletobligacioneve të qytetarëve. “Procedura është shumë e thjeshtë, shpjegoi ministri. Qytetarët në sportelet e të gjitha bankave, mund të plotësojnë kërkesë për të marrë pjesë në ankand dhe ta bëjnë pagesën e vlerës monetare për të cilën duan të blejnë fletobligacione. Shuma minimale që mund të regjistrohet është 10.000 denarë. Qytetarët mund ta plotësojnë kërkesën në banka, më së voni një ditë para ankandit, respektivisht deri më 12 korrik. Pas regjistrimit të fletobligacioneve në depozitar, fletobligacioni do t’u emetohet poseduesve, përkatësisht do të regjistrohet në emër të tyre”, tha ministri Besimi.

Ai shtoi se ky është instrument i ri që u mundëson qytetarëve të investojnë në projekte për zhvillimin e vendeve, ndërkohë që ato investime janë të sigurta për qytetarët, u sjellin atyre rendimente dhe veçanërisht kanë rëndësi në kushtet e normave dyshifrore të inflacionit, me ç’rast mbrojnë vlerën e tyre. Ministri theksoi se nëse qytetari investon në 10 fletobligacione, gjegjësisht 100 mijë denarë, në fund të vitit të parë do të marrë 5.000 denarë dhe vitin e ardhshëm 5.000 denarë, ose gjithsej 10.000 denarë për investim prej 100.000 denarëve.

Ankandi për fletobligacionin e qytetarëve do të mbahet më 13 korrik 2023, kur, siç theksoi ministri, do të bëhet i ditur interesi i qytetarëve për këtë instrument të ri në tregun tonë.

Përveç përfitimeve për qytetarët, ky instrument ka karakter zhvillimor, sepse mjetet e investuara lidhen drejtpërdrejt me projektet zhvillimore që janë planifikuar në buxhet dhe do të ndikojnë në reduktimin e ekonomisë gri.

Sipas ministrit, me këtë përmbyllet një fazë e përfshirjes së qytetarëve në tregun financiar, që është pjesë e Strategjisë për zhvillimin e tregut të kapitalit. Ai bëri të ditur se gjatë vitit do të zhvillohet edhe emetimi i instrumentit të dytë, fletobligacionit të gjelbër, i destinuar për nxitjen dhe përkrahjen e projekteve për përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe financimin e projekteve ekologjike.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *