4 shtator 2023, Shkup – Republika e Maqedonisë së Veriut arriti të ruajë stabilitetin dhe strukturën e qëndrueshme makroekonomike, pavarësisht periudhës së trazuar të ndjekur nga disa kriza ekonomike globale. Dëshmi e kësaj është miratimi i arazhmanit PLL prej 530 milionë eurove, që u jepet vendeve me baza të qëndrueshme ekonomike. Kjo u theksoi në takimin e ministrit të Financave, Fatmir Besimi me përfaqësuesin e ri rajonal për Ballkanin Perëndimor të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Sebastian Sosa, i cili do ta kryejë këtë funksion për tre vitet e ardhshme.
“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe në vendet e tjera, ndihet ndikimi i periudhës së vazhdueshme të krizës. Po ndërmarrim masa të vazhdueshme për përballimin nga ndikimet globale, në mënyrë që të ruajmë stabilitetin dhe të kontribuojmë në mbrojtjen e standardit të qytetarëve. Në këto përpjekje, vitin e kaluar, në bazë të vlerësimit të qëndrueshmërisë së politikave që po zbatojmë, nga FMN-ja u miratua qasja në mjetet e favorshme në vlerë prej 530 milionë eurove, përmes instrumentit PLL për përkujdesje dhe likuiditet”, theksoi ministri Besimi në këtë takim.
Ministri, duke vënë në dukje se menaxhimi i financave publike është sfidë e veçantë në mjedisin e trazuar ekonomik, i imponuar nga kriza shëndetësore dhe energjitike, që ka zhvendosur pothuajse të gjitha ekonomitë nga trajektorja e tyre e rritjes, u shpreh se buxheti për këtë vit është krijuar për të ndihmuar zbutjen e pasojave të krizës, për të siguruar financim të pandërprerë të integrimeve euroatlantike, që të përmbushen standardet e NATO-s, por edhe për të hedhur bazat për rimëkëmbjen ekonomike dhe për të siguruar përshpejtimin e rritjes ekonomike. Gjithashtu, bazë solide për përshpejtimin e rritjes në afat të mesëm është hedhur në Planin e qëndrueshmërisë fiskale dhe përkrahjes së rritjes ekonomike, Planin e investimeve publike dhe Planin e rritjes së përshpejtuar ekonomike.
Në këtë takim, gjithashtu u theksua se po vazhdojnë përpjekjet për konsolidim fiskal dhe se që nga fillimi i krizës është vënë re ulje graduale e deficitit buxhetor, me synim uljen e tij nën 3%, në afat të mesëm, në përputhje me kriterin e Mastrihtit dhe nëpërmjet përmirësimit të arkëtimit të të ardhurave buxhetore me masa për uljen e ekonomisë gri dhe rritjen e efikasitetit të administrimit të të hyrave, më pas edhe me reduktimin dhe ristrukturimin e shpenzimeve buxhetore duke shkurtuar shpenzimet jo prioritare dhe jo thelbësore, duke reviduar metodologjitë e transfertave, subvencioneve dhe ndryshimet në burimet e financimit të deficitit buxhetor, përkatësisht diversifikim më i madh i tyre.
Këtë funksion në FMN deri më tani e mbante Shefani Eble, të cilën ministri e falënderoi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe i uroi suksese në angazhimet e ardhshme.