7 shtator 2023, Shkup – Me Propozimin e vendimit për rishpërndarjen e Buxhetit të vitit 2023, që u miratua sot në mbledhjen e Qeverisë dhe do që të dorëzohet në Kuvend për miratim, sigurojmë: rritje të pagave për 10% në tërë administratën publike si dhe pagesë të K-15, pensione më të larta për pensionistët, më shumë mjete për ndihmë sociale, mjete për blerje të medikamenteve, subvencione për bujqit, përkrahje për kompanitë, si dhe pako të re, respektivisht pakon e nëntë të masave antikrizë.
Kjo u bë e ditur sot në konferencën për shtyp nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, ku theksoi se, mjetet për këto qëllime sigurohen me anë të rialokimit, respektivisht kjo do të bëhet me vendim për rishpërndarje, e jo me rishikim të Buxhetit, sepse deri në fund të vitit pritet realizimi i anës së të hyrave dhe shpenzimeve në vlerë nominale të njëjtë, sipas projektimit në Buxhetin për vitin 2023.
“Këto rialokime të mjeteve i realizuam kryesisht në interes të aspektit social, gjegjësisht rialokimet kryesore janë pikërisht në drejtim të përkrahjes së qytetarëve dhe standardit – rritja e pagave në sektorin publik, K-15, pensionet, transfertat sociale, subvencionet për bujqit, pakoja e nëntë e masave antikrizë. Pikësynimi ynë është përkrahja e qytetarëve për të lehtësuar sa më shumë presionet ndaj çmimeve. Njëkohësisht, ruajmë komponentin zhvillimor të Buxhetit, me nivel më të lartë të investimeve kapitale të planifikuara në raport me deficitin buxhetor. Gjithashtu, rialokohen mjete shtesë për përkrahjen e kompanive vendase dhe kompanive të huaja”, theksoi ministri dhe shtoi se strategjia është para së gjithash në drejtim të rikuperimit të ekonomisë, mbrojtjes së standardit të qytetarëve, si dhe përshpejtimit të mëtejshëm të rritjes.
Përshtatjet e nevojshme në Buxhet, siç tha ministri, janë realizuar përmes rialokimit të mjeteve nga pozitat ku ka dinamikë më të dobët dhe ku proceset lejojnë rishpërndarjen në pozitat ku janë ndërmarrë detyrimet. Njëkohësisht ai thekson se asnjë projekt kapital nuk do të lihet anash, si dhe se, shpenzimet kapitale mbeten në nivel më të lartë se deficiti buxhetor, respektivisht sipas rregullit të artë në financa – të merret hua vetëm për investime dhe qëllime zhvillimore.
Siç arsyetoi ministri Besimi, me këtë propozim të vendimit sigurohen: 4.25 miliardë denarë shtesë për rritjen e pagave të të punësuarve në sektorin publik për 10% dhe për pagesën e regresit për pushim vjetor në vlerë prej 10.000 denarëve; 3.5 miliardë denarë shtesë për rritjen e pensioneve për rreth 6% për 336 mijë pensionistë, duke filluar nga muaji shtator i vitit 2023; 600 milionë denarë për pagesën e të drejtave sociale për 36.000 shfrytëzues të të hyrave të garantuara mujore; 800 milionë denarë të destinuara për subvencionet bujqësore, kryesisht për subvencionet për qumësht, prodhimtari blegtorale, si dhe për financimin përmes avancit të bujqve për prodhimin bimor dhe blegtoral.
Gjithashtu, sigurohen 110 milionë denarë për ballafaqim me murtajën afrikane, 100 milionë denarë për prokurim të medikamentit “Trikafta” për 55 pacientë, 20 milionë denarë për senzorë dixhitalë për matjen e sëmundjes së sheqerit, 200 milionë denarë për pagesën e rregullt të pushimit të lindjes, 166 milionë denarë për përkthime, shtypje dhe blerje të librave për arsimin fillor dhe të mesëm.
Janë siguruar 290 milionë denarë për pagesën e shujtës së studentëve për 29.000 shfrytëzues, bursa për 6.900 studentë dhe bursa për 9.600 nxënës, 650 milionë denarë për pagesën e “TVSH-ja Ime” për tremujorin e tretë për shkak të rritjes së limitit të kthimit, ndërsa me këtë propozim të vendimit bëhen edhe alokime shtesë për ndihmë shtetërore ndaj kompanive në vlerë prej 1.081 miliardë denarëve edhe atë për kompanitë vendase – 581 milionë denarë, për kompanitë e huaja – 200 milionë denarë dhe për kompanitë dhe rregullimin e infrastrukturës në ZZHTI – 300 milionë denarë.
Besimi thekson se me propozimin e vendimit janë siguruar mjete për zbatimin e masave nga pakoja e nëntë e masave antikrizë në kuadër të mjeteve të planifikuara në vlerë prej 4.55 miliardë denarëve në programin P1.
Siç theksoi ministri, mjetet shtesë janë siguruar, ndërsa deficiti buxhetor mbetet i njëjtë në vlerë nominale, gjë që dëshmon përkushtimin për konsolidim gradual fiskal. Gjithashtu, me këtë rishpërndarje ruhet rregulli i artë në financa, gjegjësisht shpenzimet kapitale mbeten në nivel më të lartë se deficiti buxhetor dhe se asnjë projekt kapital nuk do të lihet anash.
Gjithsej, rishpërndarjet në Vendim janë në vlerë prej 18.2 miliardë denarëve, të cilat janë të siguruara përmes kursimeve, kudo ku e lejon mbarëvajtja e proceseve, rritjes së arkëtimit të kontributeve, si dhe reduktimeve nga pozitat ku ka dinamikë më të dobët të realizimit.