26 shtator 2023, Shkup – Rreth 150 milionë euro është mbështetja buxhetore për kompanitë vendase dhe të huaja, ose pesë herë më e lartë krahasuar me pesë vjet më parë. Fitimet e riinvestuara gjithashtu lirohen për dy arsye. Gjatë krizës së COVID-it, kompanitë u mbështetën nga një sërë masash nga shteti. Sipas parimit të solidaritetit, ato kompani që kanë realizuar fitime ekstra, si rezultat i zhvillimeve në treg gjatë vitit të kaluar, prej të cilave pjesa më e madhe kanë shfrytëzuar masat paraprake të qeverisë, duhet të kontribuojnë nëpërmjet pagesës së tatimit të solidaritetit, mjete që do të shfrytëzohen ekskluzivisht për masat e reja të pakos antikrizë për qytetarët dhe kompanitë. Ky është një nga mesazhet e ministrit të Financave, Fatmir Besimi, në debatin me përfaqësues të sektorit të biznesit në TV24.
“Nëse shikojmë mbrapa, vetëm nga viti 2017 e tutje, në ekonomi subvencionet direkte në bazë të investimeve dhe programeve të tjera, në mënyrë direkte nga buxheti, prej 1.9 miliardë denarë në vitin 2017, këtë viti kanë arritur vlerën prej 7.76 miliardë denarëve. Gjithashtu, nesër në komision do të diskutojmë për rritjen e këtyre mjeteve për 1.3 miliardë denarë shtesë. Përkrahja shtetërore për ekonominë është serioze, nëse e marrim parasysh periudhën e krizës së kovidit, p.sh. ka pasur kredi të favorshme nga BEI-ja, linjë kreditore pa interes, skemë garantuese. Gjithashtu, tani janë siguruar 100 milionë euro shtesë prej BEI-së, si dhe 50 milionë euro prej Bankës së Këshillit të Europës”, theksoi ministri Besimi duke shtuar se fitimi i riinvestuar lirohet nga baza tatimore.
Ministri i Financave theksoi se pjesa më e madhe e kompanive që realizuan fitime shtesë në vitin e kaluar, përkatësisht, fitime me më shumë se 20% nga mesatarja e tri viteve paraprake dhe iu nënshtruan tatimit të solidaritetit, ishin rreth 40% kompani nga sektori i energjetikës, rreth 40% kompani nga sektori financiar, lojërave të fatit dhe tregtisë me pakicë, ndërsa pjesa tjetër prej 20% ishin kompani nga veprimtari të tjera.
Besimi theksoj se tatimi i solidaritetit u miratua përmes procesit inkluziv me shumë diskutime publike, por dhe me takime bilaterale me odat ekonomike, duke filluar që nga dhjetori i vitit 2022. Në vetë diskutimet u pranuan sugjerimet e tyre, nga të cilat njëra i referohet viteve të cilat merren si bazë për përllogaritjen, që ndikoi edhe në uljen e efektit fiskal të kësaj mase nga 90 milionë euro në 50 milionë euro.
“Implikimet e Ligjit të Tatimit të Solidaritetit janë 50 milionë euro. Mjetet janë të destinuara dhe të përcaktuara për masat antikrizë. Tatimi i Solidaritetit është vendosur në disa shtete të BE-së. Ai bazohet në dy parime – fitimi ekstra i krijuar nga konjuktura në treg dhe solidariteti.
“Jam i vetëdijshëm që kompanitë nuk do të thonë faleminderit për Ligjin e Solidaritetit, sepse u inponuan detyrime të reja. Por cilat janë implikimet? Implikimet janë, nëse nuk ralizohet tatimi i solidaritetit që u diskutua, për të cilën destinohen mjetet që janë të përcaktuara për masat antikrizë, ato mjete do të duhet të sigurohen në mënyrë tjetër, që është huamarrja me normë interesi prej 7%. Ato mjete do t’i paguajnë përsëri obliguesit tatimor – ne, gjeneratat e ardhshme, por me kosto shumë më të lartë”, theksoi ministri Besimi.