Кumtesa|

27 shtator 2023, Shkup – Sot, Ministria e Financave publikoi Prospektin për emetimin e parë të fletobligacioneve të gjelbra. Ky është instrumenti i dytë i lançuar këtë vit nga Ministria e Financave në tregun vendas të kapitalit, duke plotësuar ofertën e produkteve financiare dhe duke nxitur konkurrencën.

 

Fletobligacionet e gjelbra janë letra me vlerë që do të shfrytëzohen për projekte investuese për zhvillimin e gjelbër. Ato janë të destinuara për inkurajimin dhe përkrahjen e projekteve për përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe financimin e projekteve ekologjike. Ky instrument, ashtu si fletobligacioni i qytetarëve që u prezantua paraprakisht paraqet produkt të ri në tregun vendas, në përputhje me Strategjinë e zhvillimit të tregut të letrave me vlerë, Strategjinë e menaxhimit të borxhit publik dhe Planin e rritjes së përshpejtuar ekonomike.

 

Emetimi i parë i këtij fletobligacioni të gjelbër është në vlerë prej 10 milionë eurove, ankandi do të mbahet më 3 tetor 2023. Qytetarët dhe personat juridikë që janë të interesuar për të marrë pjesë në këtë ankand mund të parashtrojnë kërkesë për pjesëmarrje nëpërmjet bankave. Fletobligacioni i gjelbër ofron normë interesi prej 4.75% në nivel vjetor. Fletobligacionet e gjelbra nga ky emetim janë me afat maturimi dy vjeçar, përkatësisht do të maturohen më 5 tetor 2025. Interesi do të paguhet më 5 tetor 2024 për vitin e parë dhe më 5 tetor 2025 për vitin e dytë, së bashku me kryegjënë.

 

“Qëllimi i vendosjes së këtij instrumenti është zhvillimi i tregut të kapitalit në vend, si dhe aktiviteti investues që do të kontribuojë në përshpejtimin e rritjes ekonomike. Qëllimi i fletobligacionit të gjelbër, si dhe instrumenteve të tjera të parapara me Planin e përshpejtimit të rritjes ekonomike, në bazë të parimit të Planit Junker, është që pavarësisht kapitalit publik të mobilizohet edhe kapitali privat dhe të futet në funksion të rritjes ekonomike. Ato janë një prej mekanizmave, instrumenteve, fondeve dhe burimeve të reja të parapara të financimit, me qëllim të krijimit të efektit multiplikativ dhe mobilizimit disa herë më shumë të mjeteve dhe investimeve të sektorit privat, pavarësisht sektorit publik” theksoi ministri Besimi.

 

Sipas ministrit, investimi në këtë instrument të ri është investim në zhvillim dhe përkrahje për investimet e gjelbra të planifikuara me buxhetin.

 

“Me këtë investim, përkatësisht, me blerjen e fletobligacionit të gjelbër, përkrahet në mënyrë direkte komponenti i zhvillimit në buxhet, respektivisht, investimet e gjelbra të orientuara drejt mbrojtjes së mjedisit jetësor.

 

Në buxhetin e këtij viti, planifikohet vlera më e lartë historike e shpenzimeve kapitale, me ç’rast është në përputhje me rregullin e artë të financave publike, përkatësisht, vlera e tyre është më e lartë se deficiti buxhetor.

 

Kjo nënkupton se të gjitha mjetet e siguruara përmes këtij instrumenti, ndër të tjera, do të destinohen për projektet kapitale që karakterizohen me investimin e gjelbër”, theksoi ministri Besimi.

 

Mjetet nga ky ankand do të destinohen te fondi i krijuar për efikasitetin energjetik në kuadër të Bankës Zhvillimore, ku kompanive do t’u ofrohen mjete të favorshme për realizimin e projekteve, që do të thotë mbrojtje e ambientit jetësor.

 

Fletobligacioni i gjelbër në tregun e letrave me vlerë vjen pas emetimit të fletobligacionit të qytetarëve, për të cilin është shpallur emetimi i parë gjatë muajit korrik të vitit 2023 dhe për të cilën është shfaqur  interes dy herë e gjysmë më shumë se vlera e publikuar e prospektit të fletobligacionit.

Sipas Strategjisë së zhvillimit të tregut të kapitalit dhe Planit të rritjes së përshpejtuar ekonomike, krahas këtyre dy instrumenteve, në periudhën e ardhshme në treg do të ofrohen edhe fletobligacione  projektuese dhe  zhvillimore, të cilat synojnë projekte zhvillimore dhe projekte që kanë të bëjnë me infrastrukturën. Gjithashtu, pas emetimit të fletobligacionit të gjelbër do të emetohet edhe fletobligacioni i dytë i qytetarëve.

 

Qytetarët dhe personat juridikë të interesuar për të marrë pjesë në këtë ankand dhe për të regjistruar fletobligacionet e gjelbërta mund të paraqesin kërkesë deri të hënën, më datë 2 tetor 2023.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *