7 tetor 2023, Shkup – Republika e Maqedonisë së Veriut ka ruajtur rejtingun kreditor “BB+” me perspektivë stabile, fakt ky që konfirmohet në raportin e fundit të Agjencisë së rejtingut kreditor “Fitch”. Ruajtja e rejtingut kreditor është rezultat i zbatimit të politikave makroekonomike dhe financiare të hartuara siç duhet, kredibile dhe koherente, konsistente me kursin fiks devizor afatgjatë. Rezultati është veçanërisht domethënës, duke pasur parasysh mjedisin global dhe faktorët e pafavorshëm, siç është recesioni teknik në RF Gjermani dhe vazhdimësia e luftës në Ukrainë.
Nga “Fitch” presin ulje të deficitit buxhetor në 4.5% të PBB-së në vitin 2023, i cili do të ulet më tej në vitin 2024 dhe do të jetë në nivel prej 3.4% të PBB-së.
Sipas “Fitch”, përforcimi i konsolidimit fiskal vjen si rezultat i progresit të vazhdueshëm të Qeverisë në menaxhimin e financave publike, vendosjen e rregullave fiskale dhe themelimin e Këshillit Fiskal, në përputhje me Ligjin e ri të Buxheteve.
Inflacioni është ulur në nivel njëshifror dhe Agjencia ka pritshmëri që ai të vazhdojë të ulet në vitin 2024, si rezultat i fiksimit të çmimeve të ushqimeve dhe pritshmërive të çmimeve.
Agjencia thekson se rritja e pagave dhe pensioneve rrit konsumin dhe kjo do të ndikojë pozitivisht në rritjen ekonomike. Konsumi dhe investimet private, veçanërisht në sektorin energjetik, si dhe ndërtimi i Korridorit 8 dhe 10 d do të vazhdojnë ta stimulojnë rritjen gjatë periudhës së parashikimit.
Rejtingu kreditor ka ndikim pozitiv në vendimet për investime në një vend, që nga ana tjetër ka ndikim edhe në rritjen ekonomike, eksportin, punësimin dhe pagat.