Кumtesa|

24 tetor 2023, Shkup – Nga Agjencia Franceze e Zhvillimit do të vihen në dispozicion nëpërmjet Bankës Zhvillimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut pesëdhjetë milionë euro mjete të siguruara, të cilat do të destinohen për investime të gjelbra dhe investime në fushën sociale. Kjo paraqet fillimin e punës së kësaj agjencie në vend, e cila do të kontribuojë në avancimin e marrëdhënieve mes vendit tonë dhe Francës, si dhe është nxitje shtesë për arritjen e standardeve evropiane.

Kjo u konstatua gjatë takimit të sotëm të ministrit të Financave, Fatmir Besimi me Arnaud Dauphin, drejtor rajonal i kësaj agjencie për Ballkanin Perëndimor dhe Maxime Lebovics, zëvendësdrejtor i agjencisë për Ballkanin Perëndimor.

Në takim, ministri Besimi falënderoi agjencinë për përkushtimin dhe punën e palodhur në krijimin e këtij programi të parë dhe theksoi se pret që procedura për sigurimin e këtyre mjeteve të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm dhe ato të vihen në dispozicion për shfrytëzim nëpërmjet Bankës Zhvillimore.

Ky është aktiviteti i parë i kësaj agjencie në vend pas themelimit të saj, veprimi i së cilës do të kontribuojë në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve të biznesit të dy vendeve, duke përforcuar përkrahjen e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Mjetet do të destinohen për realizimin e investimeve në projekte për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe reduktimin e efekteve negative të ndryshimeve klimatike, përkrahjen e sipërmarrësisë së grave, si dhe financimin e proceseve të dixhitalizimit”, theksoi ministri i Financave dhe shtoi se, ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit të suksesshëm mbi programet që do të zbatohen në të ardhmen.

Duke marrë parasysh axhendën e saj evropiane, agjencia do të ketë kontribut të veçantë në integrimin rajonal, axhendën e ndërlidhjes, zhvillimin ekonomik dhe kohezionin social, tranzicionin energjetik, si dhe inovacionet dhe ekonominë dixhitale.

Ekzistojnë mundësi për bashkëpunim në disa fusha siç janë sektori energjetik, shëndetësor, arsimor, bujqësor, sektori i ujërave, transportit, zhvillimit urban etj.

Ndikimi I Agjencisë Franceze të Zhvillimit, e cila është agjencia më e vjetër e zhvillimit në botë ofron mundësi të jashtëzakonshme për përkrahjen e zhvillimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si në zhvillimin demokratik ashtu edhe në atë ekonomik, në drejtim të përmbushjes më të lehtë dhe më të shpejtë të kritereve për anëtarësim në BE.

Ushtrimi i veprimtarisë së AFZH-së në vend nënkupton përkrahje të planit afatgjatë për arritjen e progresit ekonomik dhe social, që do të na orientojë përfundimisht në integrimin evropian, por edhe në atë rajonal. Agjencia vepron në vendet e rajonit dhe në mbi 110 vende në botë, me investime vjetore  prej 14 miliardë eurove dhe buxhet për vendet e Ballkanit Perëndimor prej rreth 300 milionë eurove.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *