27 tetor 2023, Shkup – Ballafaqimi efikas me ekonominë joformale në shoqërinë tonë kërkon qasje sistemike dhe koordinim ndërmjet institucioneve. Në këtë drejtim janë përcaktuar masat dhe aktivitetet në Strategjinë dhe Planin aksional, ndërsa për implementimin efikas është themeluar organ ndërresorial dhe Këshilli Nacional për Formalizimin e Ekonomisë Joformale ku sot mbajti seancën konstitutive, të kryesuar nga Ministri i Financave, Fatmir Besimi.
“Bëhet fjalë për vendosjen e sistemit gjithëpërfshirës dhe konsistent për uljen efikase të ekonomisë joformale.Me këtë sistem përforcohen: kapacitetet institucionale, koordinimi ndërmjet institucioneve, interoperabiliteti ndërmjet institucioneve, avancimi i rregullativës ligjore, si dhe definohen indikatorët për vlerësimin e rezultateve. Me krijimin e Këshillit Nacional, vendoset infrastruktura institucionale për implementimin në mënyrë të suksesshme të aktiviteteve konkrete, të definuara me Strategjinë e formalizimit të ekonomisë joformale dhe Planin aksional, të cilat bazohen në qasjen gjithëpërfshirëse sa i përket ballafaqimit me sfidën në fjalë”, theksoi ministri Besimi, duke shtuar se para mbajtjes së mbledhjes konstituive, javën e kaluar u mbajt mbledhja përgatitore me personat e involvuar në këtë proces.
Masat dhe aktivitetet janë të orientuara drejt dy grupeve: atyre stimuluese dhe kontrolluese, por më e rëndësishme është që të punohet në ndërgjegjësimin e opinionit publik, me qëllim që të identifikohen përfitimet e kalimit nga sektori joformal në sektorin formal të të vepruarit, si dhe të punohet në ngritjen e moralit tatimor.
“Do të punohet në zhvillimin e platformës së integruar me qasje inkluzive për qytetarët dhe personat juridikë, të cilët do të japin ide dhe sugjerime për uljen e ekonomisë joformale”. Po ashtu, do të punohet edhe në zhvillimin e fushatës për përforcimin e ndërgjegjësimit lidhur me çështjen se detyrimet publike shërbejnë për ofrimin e shërbimeve më të mira publike që nënkuptojnë standard më i mirë i jetesës, kushte më të mira të jetesës, përkatësisht infrastrukturë më e mirë, arsim më i mirë, shëndetësi dhe mbrojtje sociale më e mirë etj.”, theksoi ministri Besimi.
Në takim u theksua vullneti i fortë për ballafaqimin me këtë fenomen të shfaqur në shoqërinë tonë dhe u theksua nevoja për shkëmbim më të madh të informacioneve dhe riprecizimin e kompetencave të institucioneve përkatëse.
Zëvendëskryeministri i Çështjeve Ekonomike, Fatmir Bytyqi, që është një nga bashkëkryesuesit në Këshill, po ashtu, potencoi se për të luftuar ekonominë gri është e nevojshëm një zgjidhje sistemike, interoparabilitet më i madh mes institucioneve nga njëra anë dhe nga ana tjetër rritje e ndërgjegjësimit për përfitimet nga formalizmi i ekonomisë joformale. “Ajo që është shumë e rëndësishme nga veprimtaritë afariste të paregjistruara është që t’i njohin përfitimet që do të kenë nga futja në sistemin formal.
Shembuj pozitivë për këtë kemi pasur në kohën e krizës së Kovidit”, tha Bytyqi.
Këshilli Nacional i Formalizimit të Ekonomisë Joformale përbëhet nga 20 anëtarë, përfaqësues të nivelit më të lartë nga institucionet në kompetencë të të cilave janë aktivitetet e uljes së ekonomisë joformale, përkatësisht: zëvendëskryetari i Qeverisë, Përgjegjës i Çështjeve Ekonomike, Koordinim me Resorët Ekonomikë dhe Investime; zëvendëskryetari i Qeverisë Përgjegjës i Politikave të Qeverisjes së Mirë; ministri i Ekonomisë; ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës; ministri i Punës dhe Politikës Sociale; ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave; ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor; ministri i Transportit dhe Lidhjeve; personat udhëheqës së Drejtorisë së të Ardhurave Publike; Drejtorisë Doganore; Byrosë së Prokurimit Publik; Drejtorisë së Policisë Financiare; Drejtorisë së Zbulimit Financiar; Inspektoratit Shtetëror të Tregtut; Inspektoratit Shtetëror të Punës; Regjistrit Qendror të RMV-së; Këshillit Inspektues; Entit Shtetëror të Statistikave si dhe guvernatorja e Bankës Popullore të RMV-së. Këshilli Nacional i monitorimit të ecurisë së zbatimit të masave dhe aktiviteteve do të mblidhet çdo tre muaj.