Кumtesa|

31 tetor 2023, Shkup – Borxhi publik vazhdon trendin e uljes. Të dhënat më të fundit të publikuara sot në lidhje me tremujorin e tretë të vitit 2023 evidentuan ulje prej 2.1 p.p krahasuar me tremujorin paraprak dhe 3.9% krahasuar me fundin e vitit 2022. Me nivel të regjistruar të borxhit publik prej 55.8% të PBB-së, borxhi publik u rikthye në nivelin e para vitit 2020, përkatësisht është për 3.9% më i ulët se niveli i borxhit publik në vitin 2020.

“Ruajtja e borxhit publik në nivel stabil dhe në kuadër të kornizave të kritereve të Mastrihtit, si dhe sipas rregullave të reja fiskale të Ligjit të Buxhetit është dhe mbetet përcaktimi ynë themelor sa i përket menaxhimit të borxhit publik. Treguesi më i mirë janë të dhënat që Ministria e Financave i publikon me dinamikën e përcaktuar dhe të dhënat që tregojnë uljen e nivelit të borxhit publik nga 59.7% e PBB-së në vitin 2020 në 55.8% në fund të tremujorit të tretë të këtij viti” theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Ai shtoi se është e rëndësishme që e gjithë kjo u realizua në rrethana kur kishim nevojë për më shumë përkrahje fiskale për t’u ballafaquar me krizën e Kovidit, më pas me atë energjetike dhe të çmimeve, për të cilat u ndanë 2 miliardë euro, njëkohësisht u servisuan të gjitha detyrimet duke përfshirë edhe huamarrjet e vjetra. Në këtë mënyrë, krahas detyrimeve të tjera u paguan edhe euroobligacionet në vlerë prej 1.220 miliardë eurove.

Në tremujorin e tretë të vitit 2023 është kryer pagesa euroobligacionit të emetuar në vitin 2016 në vlerë prej 450 milionë eurove, përkatësisht janë paguar detyrimet në bazë të borxhit të jashtëm në vlerë prej rreth 540 milionë eurove.

Përveç borxhit publik, ulje është evidentuar edhe në borxhin shtetëror prej 2.2 p.p. në fund të tremujorit të tretë, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023, ku është pozicionuar në nivelin e 48.2 të PBB-së.

Si Qeveri dhe Ministri, mbetemi të përkushtuar për menaxhimin prudent të borxhit publik dhe ruajtjen e tij në nivel të qëndrueshëm. Për ruajtjen e këtij përkushtimi dhe për vazhdimin e trendit të uljes së borxhit, po zbatohet Plani i konsolidimit gradual fiskal dhe i sigurimit të mjeteve në buxhet vetëm për projektet zhvillimore dhe shlyerjen e borxheve të vjetra me kosto sa më të ulët.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *