30 nëntor 2023, Shkup – Arritjet në periudhën e kaluar 30 vjeçare në zhvillimin e vendit, të cilat janë rezultat i përkrahjes së Grupit të Bankës Botërore, ishin sot temë e takimit të ministrit të Financave, Fatmir Besimi me nënkryetaren e Bankës Botërore për rajonin Antonella Bassani dhe drejtoreshën rajonale të këtij institucioni financiar ndërkombëtar për Ballkanin Perëndimor Xiaoqin Yu. Në këtë takim mori pjesë edhe drejtori i BB-së në vend, Massimiliano Paolucci.
“Ishte kënaqësi që sot, në vigjilje të konferencës që shënon partneritetin e përbashkët 30 vjeçar të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Botërore, mund të diskutonim për arritjet dhe rezultatin e këtij partneriteti për vendin tim dhe atë që kemi arritur së bashku gjatë 30 viteve të kaluara”, tha ministri Besimi.
Njëkohësisht, ai theksoi rëndësinë e projekteve të realizuara të Bankës Botërore për zhvillimin e mbarë shoqërisë, ekonomisë, si dhe mjedisit jetësor.
“Ky partneritet është ka rëndësi të jashtëzakonshme për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, jo vetëm në aspektin e financimit, por edhe në ofrimin e njohurive dhe ekspertizës. Konfirmim i bashkëpunimit tonë të madh janë 65 projektet e realizuara me vlerë mbi 2.8 miliardë dollarë”, tha ministri dhe shtoi se bashkëpunimi dhe partneriteti vazhdon dhe se në proces e sipër janë nëntë projekte në vlerë prej 404 milionë dollarëve.
Ai thekson se përkrahja e këtij institucioni financiar ndërkombëtar bëhet në fusha të ndryshme që kanë rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë, si përkrahja e siguruar gjatë krizës së Covid-it, krizës energjetike, si dhe sfidave të tjera.
Në këtë takim, ministri shprehu mirënjohjen për përkrahjen e BB-së në procesin e sigurimit të huasë së politikave zhvillimore, që desinohet për ekonominë më rezistente dhe zhvillimin e gjelbër, si dhe për përgatitjen e Kornizës së re të partneritetit që përfshin fushat ku Grupi i Bankës Botërore do të sigurojë përkrahje për zhvillimin e axhendës së vendit. Korniza e re përfshin periudhën 2024-2028 dhe pritet të aprovohet në fillim të vitit të ardhshëm.