Agjencia Franceze e Zhvillimit (Agence Française de Développement (AFD)) do të bashkëpunojë me Bankën Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut (BZHMV) në drejtim të rritjes së financimit të qëndrueshëm në vend – Marrëveshje e huasë në vlerë prej 50 milionë eurove e nënshkruar më 21 dhjetor në Shkup.
Partneriteti midis AFD-së dhe BZHMV-së përfaqëson moment historik të rëndësishëm në përkrahjen e tranzicionit të gjelbër në Maqedoninë e Veriut. Në Shkup, më 21 dhjetor të vitit 2023, të dy institucionet së bashku me Ministrinë e Financave të Maqedonisë së Veriut nënshkruan pakon e rëndësishme financiare në vlerë prej 50 milionë eurove, me të cilën do të përkrahen përpjekjet e shtetit për investime të gjelbra dhe investime të përgjegjshme shoqërore.
Sipas kushteve të kësaj marrëveshjeje, e para e këtij lloji me AFD-në, Agjencia siguron ndihmë të konsiderueshme financiare për BZHMV-në e cila do të shndërrohet në projekte transformuese. Këto investime do të fokusohen në reduktimin e emetimeve të gazrave serrë, rritjen e efikasitetit energjetik dhe inkurajimin e transformimit dixhital midis NVM-ve, veçanërisht ato të menaxhuara nga gratë ose që janë të destinuara për popullatën e gjinisë femërore.
Duke njohur nevojën urgjente për t’i drejtuar pjesëmarrësit në sektorin afarist drejt dekarbonizimit të ekonomisë, partneriteti i krijuar midis AFD-së dhe BZHMV-së është hap proaktiv për të përshpejtuar kalimin në një model të ekonomisë elastike me emetim të ulët të karbonit në Maqedoninë e Veriut. Kjo hua plotësohet me grant për bashkëpunim teknik në vlerë prej 0.4 milionë eurove, i cili do të menaxhohet nga AFD-ja dhe synon të përkrahë procesin e fuqizimit të kapaciteteve të BZHMV-së dhe partnerëve të saj – institucionet financiare për financim të qëndrueshëm.
Nënshkrimi i Marrëveshjes, ku morën pjesë edhe z. Fatmir Besimi, ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut, z. Kire Naumov, drejtor kryesor ekzekutiv i BZHMV-së, ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut, z. Siril Bomgartner dhe z. Matje Vaser, drejtor i Agjencisë Franceze të Zhvillimit, për Evropën dhe Azinë, është shumë më tepër se një transaksion financiar. Nënshkrimi i Marrëveshjes shënon fillimin e angazhimit të shumëpritur të Grupit AFD në Maqedoninë e Veriut.
Ministri Besimi foli për rëndësinë e këtij partneriteti: “Ky bashkëpunim veçanërisht i rëndësishëm me AFD-në paraqet moment kthese në rrugën tonë drejt progresit të qëndrueshëm ekonomik dhe social. Marrëveshja nuk është vetëm investim financiar; por edhe një hap përpara drejt ruajtjes së partneritetit të qëndrueshëm midis vendeve tona, si dhe drejt intensifikimit të rritjes dhe vendosjes së inovacioneve, në sektorët kyç. Kjo pako në vlerë prej 50 milionë eurove synon strategjikisht të përforcojë menaxhimin e mbrojtjes së mjedisit jetësor, të inkurajojë sipërmarrësinë e gjinisë femërore dhe të promovojë transformimin dixhital. E gjithë kjo është plotësisht në përputhje me ambiciet tona evropiane, duke inkurajuar integrimin rajonal dhe duke kontribuar në arritjen e synimeve tona për tranzicionin ekologjik, zhvillimin ekonomik dhe kohezionin social. Përkrahja e AFD-së është thelbësore për diversifikimin e bashkëpunimit tonë në sektorët kyç, siç janë: sektori energjetik, shëndetësisë, arsimit, bujqësisë dhe zhvillimit urban, duke përkrahur përpjekjet tona për anëtarësim në BE.”
Kire Naumov, drejtor krysor ekzekutiv i Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, shprehu entuziazmin e tij: “Ky bashkëpunim afatgjatë me Agjencinë Franceze të Zhvillimit paralajmëron një epokë të re për Bankën Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, duke na mundësuar kështu të përforcojmë rolin tonë në sigurimin e financave që synojnë ndryshimin e klimës dhe nxitjen e rritjes inovative dhe inkluzive në sektorin privat. Jemi veçanërisht të kënaqur që do të jemi pjesë e këtij procesi, i cili është plotësisht i harmonizuar me qëllimet tona strategjike për zhvillimin e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, në përputhje me praktikat më të mira”.
Shkëlqesia e tij, Siril Bomgartner, ambasadori i Francës në Maqedoninë e Veriut, shtoi: “Marrëveshja e sotme është ilustrim i gjallë i përforcimit të bashkëpunimit midis Francës dhe Maqedonisë së Veriut, duke reflektuar kështu angazhimin tonë të përbashkët për rritjen e qëndrueshme dhe inkluzive”. Kjo nismë jo vetëm që përforcon marrëdhëniet tona dypalëshe, por gjithashtu rikonfirmon angazhimin tonë të përbashkët për të adresuar sfidat globale ekologjike dhe duke nxitur rezistencën ekonomike. Franca është krenare që, përmes Agjencisë Franceze të Zhvillimit, është pjesë e përkushtimit të Maqedonisë së Veriut për një të ardhme më të gjelbër dhe dixhitale, e cila përforcon vlerat dhe qëllimet e promovuara brenda Bashkimit Evropian.
Matje Waser ndau optimizmin e tij për partneritetin: “Inicimi i këtij programi me Bankën Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut është dëshmi e përkushtimit të Agjencisë Franceze për të përkrahur qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe Marrëveshjen e Parisit. Bashkëpunimi ynë është hap konkret drejt përmbushjes së këtyre angazhimeve globale dhe jemi të lumtur që do të kemi mundësinë të luajmë rol kyç në transformimin ekologjik dhe ekonomik të Maqedonisë së Veriut”.
Për Bankën Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut:
Banka Zhvillimore e Maqedonisë së Veriut është ë bankë zhvillimore, ku 100% pronar i së cilës është Republika e Maqedonisë së Veriut. Është themeluar në vitin 1998, qëllimi kryesor i së cilës është përkrahja e kompanive tregtare mikro, të vogla dhe të mesme dhe të orientuara drejt eksportit, si dhe përmirësimi i konkurrencës së ekonomisë së Maqedonisë së Veriut. Banka i përkrahë kompanitë vendore përmes kreditimit të drejtpërdrejtë dhe kreditimit përmes bankave, sigurimit afatshkurtër të eksportit të produkteve dhe shërbimeve të Maqedonisë së Veriut nga risqet afariste dhe politike, faktoringun vendor dhe faktoringun e eksportit me të drejtë regresi, si dhe lëshimin e garancive.
për Agjencinë Franceze të Zhvillimit:
Grupacioni AFD kontribuon në zbatimin e politikave franceze për zhvillim të qëndrueshëm dhe solidaritet ndërkombëtar. Grupacioni përfshin Agjencinë Franceze të Zhvillimit, e cila financon sektorin publik, organizatat joqeveritare, kërkimet dhe trajnimet; filiali i saj “Proparko”, dedikuar sektorit privat; dhe Agjencia e Bashkëpunimit Teknik “Expertiz Franz”.
Grupacioni AFD për zhvillim, financon, përkrah dhe përshpejton tranzicionet e nevojshme drejt drejtësisë më të madhe dhe qëndrueshmërisë më të madhe në mbarë botën. Është aktive në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2019, Grupacioni AFD është i autorizuar t’i ndihmojë vendet e rajonit në përmbushjen e standardeve të BE-së dhe zbatimin e Marrëveshjes së Parisit për aplikimet klimatike, me qëllim arritjen e rritjes inkluzive dhe emetimet e ulëta të karbonit. Që atëherë, Grupacioni AFD ka destinuar më shumë se 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor përmes 17 projekteve rrjedhëse.