24 janar 2024, Shkup – Sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, së bashku me Kryeministrin Dimitar Kovaçevski realizuam takim me drejtoreshën e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu dhe drejtorin e Zyrës së Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, Massimiliano Paolucci.
Në takim u diskutua për Kornizën e re të partneritetit me Bankën Botërore, me të cilën Republika e Maqedonisë së Veriut do të ketë në dispozicion 695 milionë dollarë gjatë katër viteve të ardhshme, e cila u akordua dhe u miratua dje nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të këtij institucioni financiar ndërkombëtar.
Në këtë takim u përcollën përshtypjet e Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë, të cilët i përgëzuan të arriturat dhe politikat e duhura të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe makromenaxhimin më të gjerë.
“Korniza e re e partneritetit paraqet vazhdimin e partneritetit të pandërprerë dhe bashkëpunimin e ngushtë me këtë institucion financiar ndërkombëtar, që zgjat tashmë 30 vite. Është si rezultat i përkushtimit dhe politikës sonë që ndërmarrin për prosperitet të shoqërisë, zhvillim të proceseve dhe zhvillim të ekonomisë. Korniza e re e partneritetit përfshin prioritete që janë hartuar së bashku me Bankën Botërore në disa fusha dhe ka si qëllim përmirësimin e disponueshmërisë dhe cilësisë së shërbimeve publike, përmirësimin e mjedisit për hapjen e vendeve të reja më të vlerësuara të punës në sektorin privat, si dhe përforcimin e rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike dhe uljes së emetimeve të karbonit” theksoi Kryeministri Dimitar Kovaçevski në takimin me përfaqësuesit e Bankës Botërore.
Kryemistri Kovaçevski shtoi se, deri më tani, përmes këtij partneriteti janë përkrahur projekte në vlerë prej 404 milionë dollarëve dhe se me Kornizën e re, kjo përkrahje arrin në 1.1 miliardë dollarë.
Në kuadër të partneritetit të ri për arritjen e tri pikësynimeve janë hartuar projekte në disa fusha siç janë: transporti, infrastruktura komunale, bujqësia, dixhitalizimi, energjetike, shëndetësia, arsimi, shërbimet sociale.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, në këtë takim theksoi se Korniza e partneritetit siguron kontinuitet në realizimin e reformave të filluara për avancimin e kapitalit njerëzor dhe parasheh vlera të konsiderueshme për financimin e reformave në fushën sociale, shëndetësore dhe atë të arsimit, të cilat rezultojnë me prosperitetin e shoqërisë dhe rritjen e përshpejtuar ekonomike.
Po ashtu, Korniza fokusohet edhe në përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe infrastrukturës, konkurrencës dhe modernizimit të sektorit të bujqësisë, si dhe në tranzicionin energjetik.
Në këtë takim u theksua se tashmë janë aprovuar edhe huatë e para në kuadër të partneritetit të ri, përkatësisht janë aprovuar 27.5 milionë euro për financimin e Projektit të dytë për avancimin e shërbimeve sociale, me të cilin zgjerohet qasja dhe përmirësohet cilësia e shërbimeve sociale, duke përfshirë shërbimet parashkollore për grupet më të ndjeshme.
Huaja prej 31 milionë eurove u aprovua për financimin shtesë të Projektit për përmirësimin dhe zhvillimin e rrugëve, dedikuar përmirësimit të lidhjes së transportit përgjatë Korridorit 8 ndërmjet Shkupit dhe Deve Bairit.
Në dhjetor, Banka Botërore, si partnerja jonë më e rëndësishme strategjike miratoi gjithashtu hua për përkrahje buxhetore prej 100 milionë dollarëve për përfshirjen e politikave rreth tre shtyllave, përkatësisht përkrahjen e tranzicionit klimatik të sektorit energjetik dhe financiar, përforcimin e qëndrueshmërisë së financave publike dhe mbrojtjen e stabilitetit financiar.
Korniza e partneritetit si konfirmim i politikave tona rezulton pas konfirmimit të marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për kursin e duhur dhe qëndrueshmërinë e politikave gjatë rishikimit të parë në kuadër të Programit të Përkujdesjes dhe Likuiditetit.