29 shkurt 2024, Shkup – Heqja e barrierave tregtare me vendet e BE-së, ngritja e kredibilitetit të sektorit financiar në skenën ndërkombëtare, thellimi i marrëdhënieve tregtare me rajonin ekonomik evropian, shërbime më të thjeshta, më të shpejta dhe më të lira për qytetarët dhe kompanitë, janë vetëm pjesë e përfitimeve nga aplikimi i rregullativës evropiane në rajonin SEPA dhe bashkimi me këtë rajon. Kjo ishte një pjesë e mesazhit të zëvendësministrit të Financave, Filip Nikolloski në panelin e diskutimit të mbajtur në kuadër të Samitit Rajonal për Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, në Tiranë.
Zëvendësministri është anëtar i delegacionit të Republikës së Maqedonisë së veriut që merr pjesë në Samitin Rajonal të Zhvillimit, të kryesuar nga kryeministri Talat Xhaferi.
Në panelin e diskutimit, ai iu referua gatishmërisë së vendit për t’iu bashkuar rajonit SEPA dhe aplikimit të rregullores SEPA në lidhje me pagesat dhe sektorin financiar, konkurrencën dhe mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe gatishmërinë për të përfunduar transaksionet e pagesave në euro.
“Bashkimi me rajonin SEPA është vetëm një pjesë e përpjekjeve që ne po bëjmë për t’iu qasur standardeve të BE-së duke transponuar rregullativat evropiane në legjislacionin nacional.
Vizën për fillimin e procesit të anëtarësimit në SEPA e kemi marrë me miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit të Shërbimeve të Pagesave dhe Sistemeve të Pagesave, ndërsa për momentin është duke u punuar mbi përgatitjen e aplikacionit”, – theksoi zëvendësministri Nikolloski.
Samiti i Zhvillimit Rajonal i mbajtur në Tiranë i përkushtohet Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian dhe paraqet vazhdimësi të takimit të mbajtur në Shkup, muajin e kaluar. Në samitin e Tiranës marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe Komisari i Politikave të Fqinjësisë dhe Zgjerimit të BE-së, Oliver Varhei.