31 korrik 2024, Shkup – Ekonomia e Maqedonisë në vitin 2024 pritet të përshpejtohet në nivel prej 2.5% dhe të arrijë në 3% deri në vitin 2027, borxhi publik duhet të mbetet i moderuar dhe të stabilizohet në 57% të PBB-së deri në vitin 2027, ndërsa deficiti buxhetor për këtë vit është rishikuar në 4.9% dhe pritet që nga viti 2025 të përforcohen përpjekjet për konsolidim fiskal në përputhje me Ligjin e Buxheteve. Kështu thuhet në raportin e fundit të Agjencisë së Vlerësimit Kreditor “Standard & Poor’s”, me të cilin vendi ka ruajtur vlerësimin kreditor BB- me perspektivë stabile.
Standard & Poor’s thekson në raport se vendi shënoi normë rritjeje prej 1% në vitin 2023, duke vazhduar këtë trend të dy viteve të fundit, për shkak të kërkesës së dobët të jashtme dhe investimeve.
Më konkretisht, në raport thuhet se “në tremujorin e parë të vitit 2024, ekonomia shënoi rritje prej 1.2% në nivel vjetor, që nxitet në mënyrë dominuese kryesisht nga investimet, veçanërisht projektet e infrastrukturës publike”, ku sipas Agjencisë, do të vazhdojnë të jenë nxitësit e rritjes ekonomike në periudhën e ardhshme.
Risqet që mund të ndikojnë mbi rritjen lidhen me mjedisin e pasigurt ekonomik në BE dhe potencialin për rritje të çmimeve të mallrave të nxitura nga tensionet gjeopolitike globale. Megjithatë, Agjencia pret që rritja të rimëkëmbet dhe të arrijë në 3% deri në vitin 2027, e nxitur nga rritja e pritshme e kërkesës së jashtme dhe përforcimi i aktivitetit kreditor.
Pavarësisht rritjes së dobët ekonomike, Standard & Poor’s vëren se ka pasur ulje të theksuar të shkallës së papunësisë, e cila ra në 12.9% në tremujorin e parë të 2024 dhe se ky trend i tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke u përkrahur nga fluksi i investimeve të huaja direkte. Risku që vihet re është niveli i lartë i emigrimit, sektori i konsiderueshëm joformal dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Gjithashtu, në këtë raport theksohet se perspektiva më e dobët për rritjen ekonomike për këtë vit është reflektuar edhe në buxhetin e rishikuar, që fokusohet në rritjen e pensioneve, pagave dhe servisimin e borxhit, si dhe uljen e shpenzimeve të tjera, ndërsa deficiti buxhetor për vitin 2024 u rishikua në nivel prej 4.9%. E rëndësishme, sipas “Standard & Poor’s” është respektimi i Ligjit të Buxheteve dhe konsolidimi i mëtejshëm fiskal. Në periudhën 2024-2027, deficiti mesatar buxhetor është parashikuar në 3.5% të PBB-së.
Sfidat kryesore të cekura në raport janë sektori joformal dhe rritja e kostove për projektet e infrastrukturës.
Aspekt kryesor sipas Standard & Poor’s është vazhdimi i sigurimit të rritjes së fuqishme ekonomike dhe zbatimi i reformave strukturore. Agjencia thekson se si agjendë parësore e Qeverisë janë reformat gjithëpërfshirëse të destinuara në rivitalizimin e institucioneve, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të së drejtës. Qëllim krucial është rritja ekonomike, e përcaktuar në masën 5%, e nxitur nga projektet e mëdha të infrastrukturës, tërheqja e investimeve të reja, përforcimi i arkëtimit të tatimeve, rritja e të ardhurave, si dhe rritja e pensioneve dhe pagave.
Vlerësimi kreditor, i përgatitur nga agjencitë e vlerësimit kreditor, tregon shkallën e riskut të investimit dhe është një nga treguesit kryesorë që investitorët potencialë marrin parasysh gjatë vendimmarrjes së tyre.
Vlerësimi kreditor i vendit vlerësohet nga Standard & Poor’s dhe Fitch dy herë në nivel vjetor.