Кumtesa|

11 gusht 2024, Shkup – Me ribalancin e buxhetit bëmë përpjekje në një periudhë të shkurtër dhe në kushte që i trashëguam për të bërë më të mirën. Siguruam para për të gjitha detyrimet që janë në përputhje me ligjin të cilat do të servisohen. Presioni i madh në buxhet rezulton nga pagesa e garancive, respektivisht kredive për disa ndërmarrje publike që nuk janë në gjendje që t’i shlyejnë. Kjo u theksua nga ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska e ftuar në Ditarin qendror të RTM-së.
“Në ribalanc është planifikuar të paguhet gjithçka që është në përputhje me ligjin dhe me ndryshimet ligjore. Mjetet janë paraparë edhe për detyrimet e maturuara, të cilat edhe pse kanë qenë të matuara, nuk janë evidentuar në sistemin SEPED të Ministrisë së Financave. Duke vepruar në këtë mënyrë, përparësi i japim servisimit të asaj që është e sigurt që do të paguhet në përputhje me ligjin. Një pjesë e detyrimeve të maturuara janë duke u rishikuar, me ç’rast do të bëhen pagesat sipas analizave të përcaktuara. Jemi në një fazë që mund të shpenzojmë aq sa arkëtojmë për të mos krijuar deficit buxhetor shtesë, i cili tashmë është rritur për 181 milionë euro”, theksoi ministrja.
 
Ministrja shtoi se pagesat e garancive paraqesin ngarkesë serioze, që ndikon mbi realizimin e investimeve.
“Bëhet fjalë për ngarkesë serioze mbi buxhetin nga pagesa e garancive, sepse për shkak të korrupsionit dhe krimit, një pjesë e ndërmarrjeve janë drejt fundit dhe e gjithë kjo është barrë për shtetin. Në vend që të sigurojmë 100 milionë euro investime në fushën e shëndetësisë, arsimit etj., ne kthejmë garanci, përkatësisht kredi të ndërmarrjeve publike që nuk janë në gjendje që t’i shlyejnë. P.sh.: vetëm për NPRRSH-në për këtë vit destinojmë 90 milionë euro. Deri vjet, kjo ndërmarrje ka qenë në gjendje të paguajë një këst në vit, ndërsa tani nuk mund të paguajë asnjë”, potencoi ministrja Dimitrieska-Koçoska dhe shtoi se, e gjithë kjo po ndodh në momentin kur buxheti gjendet në situate të vështirë, ndërsa shteti si instancë e fundit duhet të sigurojë para për shlyerjen e kredive.
 
Për rritjen e paralajmëruar lineare të pensioneve, thekson se ky aspekt është i merituar për pensionistët. “Nëse dikujt me pension prej 13.000 denarëve i shtohen 5.000 denarë, do të thotë se i jepen para për të mbijetuar, duke marrë parasysh shpenzimet tejet të rritura. Ne vetëm ndryshuam metodologjinë me të cilën do të fokusohemi te ata pensionistë që kanë pensione të ulëta, që të përfitojnë vlerë më të lartë dhe në këtë mënyrë ta ulim hendekun me pensionet e larta”, tha ministrja e Financave.  
 
Sipas ministres, huaja bilaterale nga Hungaria, nuk shkakton presion shtesë mbi buxhetin, sepse sipas saj, 500 milionë eurot ishin parashikuar edhe nga qeveria e mëparshme. “Ajo që bëmë ne është sigurimi i parave me kosto më të lirë. Përkatësisht, nëse do të kishim vepruar duke emetuar euroobligacion do të kishim marrë mjete me interes më të lartë se 6%, ndërsa kjo hua është me interes prej 3.25%, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska.
 
Në intervistë ministrja theksoi se borxhi publik mund të jetë i qëndrueshëm nëpërmjet ballafaqimit me ekonominë joformale dhe se aspekt i rëndësishëm është edhe fakti se si shpenzohen paratë e huazuara, përkatësisht nëse shpenzohen për investime. “Nëse shpenzohen për investime që do t’i shtojnë vlerë ekonomisë së përgjithshme, atëherë në atë moment borxhi publik mund të jetë më i lartë.
 
Çështja është se ku përfundojnë paratë. Në të kaluarën këto para përfundonin për konsum dhe për këtë arsye nuk kishim rritje të PBB-së. Kemi nivel shumë të ulët të investimeve bruto dhe kjo sjellë gjendje të përkeqësuar ekonomike”, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *