13 gusht 2024, Shkup – Me rebalancin e Buxhetit për vitin 2024, shpenzimet kapitale nuk preken. Shifrat tregojnë se vlera është e njëjtë, vetëm se është destinuar në projekte që pritet të kenë dinamikë të përshpejtuar.
Këtë e theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në “Temën e ditës” në ditarin e televizionit Sitel. “Kur shikoni numrat, mund të shihni se vlera është e njëjtë. Tani nuk ka mjete për korrupsion dhe krim, por ka mjete të destinuara për realizimin e projekteve, mjete që do të destinohen për projekte me vlerë të shtuar. Projektet kapitale mbeten edhe në vijimësi.
U ridestinuan mjete nga projektet kapitale infrastrukturore me realizim më të dobët ndaj komunave, sepse e dimë se komunat kanë projekte të gatshme që mund të realizohen. Ne nuk mund t’i ruajmë mjetet për investime kapitale për diçka që nuk do realizohet”, tha ministrja e Financave.
Ajo shtoi se parapagesat pa asnjë lloj realizimi nuk do të paguhen, por se do të paguhet mbi bazën e realizimit. “Është Iluzion planifikimi i 250 milionë eurove për projektin e korridoreve 8 dhe 10d në situatë kur nuk mund bëhet eksproprijimi, ku në këtë drejtim rezultojnë një sërë problemesh, kur nuk dihet traseja dhe realizimi i tyre, me ç’rast ato deri në fund të vitit do të përfundojnë si çështje korruptuese”, theksoi Dimitrieska-Koçoska dhe shtoi se për këtë projekt vitin e ardhshëm do të planifikohen 250 milionë euro dhe se projekti tashmë është duke u realizuar, ndërtuar dhe duhet të paguhet në bazë të punëve dhe situatave të kryera.
Në intervistë, ministrja iu referua edhe kërkesës së sindikatave për rritjen e pagës minimale, për rritjen e pagave, për nivelin e borxhit publik, si dhe për realizimin e projekteve të infrastrukturës hekurudhore.