12 gusht 2024, Shkup – Sot, Kuvendi miratoi Ribalancin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2024. Me ribalancin, të hyrat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 318.2 miliardë denarë, ose për 2.6% më të larta, përkatësisht rreth 8 miliardë denarë më shumë se projeksionet fillestare në planin për vitin 2024. Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 362.8 miliardë denarëve ose për 5.6%, më të larta, përkatësisht rreth 19.2 miliardë denarë më shumë se projeksionet fillestare në planin për vitin 2024.
Ndërsa në bazë të projeksioneve të rishikuara të të hyrave dhe shpenzimeve, deficiti është planifikuar në nivel prej 44.7 miliardë denarëve, përkatësisht nga planifikimet fillesare prej 3.4% në 4.9% të PBB-së. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska, në ekspozenë e saj lidhur me Ribalancin e plotësuar, theksoi se kjo çështje është përpjekje e Qeverisë së re për të siguruar likuiditet për servisimin e rregullt të të gjitha detyrimeve deri në fund të vitit, duke siguruar njëkohësisht funksionimin normal të institucioneve dhe realizimin e projekteve që kanë dinamikë të duhur.
“Me ribalancin e propozuar korrigjojmë mangësitë e bëra me buxhetin fillestar, siç janë mjetet e pamjaftueshme të planifikuara për të drejtat e parapara me ligj, mjetet për servisimin e detyrimeve të maturuara dhe mjetet për përkrahjen e ekonomisë. Kjo nënkupton sigurimin e pagesës së rregullt të pagave, e cila do të harmonizohet sipas ligjit në muajin shtator, sigurimin e pagesës së rregullt të pensioneve dhe zbatimin e premtimit tonë zgjedhor për rritjen lineare të pensioneve në muajin shtator, shlyerjen e detyrimeve maturuara për mosprolongimin e tyre, sepse ekonomia e kërkon këtë, ku përveç kredisë së favorshme të paralajmëruar për realizimin e investimeve do të injektohen edhe 6 miliardë denarë shtesë nëpërmjet angazhimit të tyre në realizimin e projekteve në nivel lokal.
Ky është një ndër faktorët me të cilin dëshirojmë ta përkrahim ekonominë, që siç tregojnë të dhënat, ka shënuar rezultate të dobëta në gjysmën e parë të vitit”, theksoi ministrja e Financave. Sipas ministres, ribalanci në tërësi nuk pasqyron politikat e Qeverisë së re, por paraqet mënyrën më optimale për kompensimin e mangësive dhe në një farë mënyre tregon se mbi cilën linjë do të zhillohet politika fiskale në periudhën e ardhshme.
Me ribalancin janë siguruar 4.2 miliardë denarë shtesë për pagesën e pagave, 5.1 miliardë denarë për pagesën e pensioneve, 800 milionë denarë për pagesën e të drejtës së ndihmës minimale të garantuar, 1.7 milardë denarë shtesë për mbrojtjen shëndetësore, 1 miliard denarë për zonat e ZZHTI-së, 1.7 miliardë denarë për përkrahjen financiare direkte në sektorin e bujqësisë, 437 milionë denarë për shujtat studentore, 207 milionë denarë për pagesën e bursave, 300 milionë denarë për bllok dotacionet, 0.8 miliardë denarë shtesë për pagesën e interesit kundrejt kreditorëve ndërkombëtarë dhe vendorë, 5.1 miliardë denarë për pagesën e garancive, me ç’rast ndërmarrjet duhet të kthejnë dhe paguajnë në mënyrë sukcesive (të pandërprerë) mjetet në buxhetin e shtetit deri në fund të vitit 2024.
Gjithashtu, me ribalancin janë siguruar 6 miliardë denarë për projekte infrastrukturore lokale, si dhe shpenzime kapitale në vlerë prej 44.7 miliardë denarëve, të cilat janë destinuar për investime në rikonstruimin dhe modernizimin e institucioneve publike shëndetësore, investime kapitale në fushën e arsimit, mbrojtjes së fëmijëve dhe atë sociale, në fushën e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe komunale, plotësimin e marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për zhvillimin rural. Me ribalancin e buxhetit, rritja ekonomike është rishikuar në 2.1% nga projeksioni paraprak prej 3.4%, ndërsa norma e inflacionit është projektuar në 3.5%.