13 shtator 2024, Shkup – Dinamika e realizimit të projekteve për të cilat është siguruar përkrahje financiare nga Banka Botërore, ishte tema e takimit të zëvendësministrit të Financave Nikollçe Jankullovski me drejtorin e Bankës Botërore në vendin tonë, Masimiliano Paoluçi.
“Aktualisht janë 10 projekte aktive që janë duke u realizuar me përkrahjen e Bankës Botërore. Kishim diskutim të dobishëm në lidhje me dinamikën e realizimit të tyre, me ç’rast shprehëm interesimin tonë për të bërë përpjekje për përshpejtimin e implementimit dhe të shfrytëzohen sa më shpejt efektet e projekteve”, theksoi zëvendësministri i Financave.
Ai shtoi se përmes Kornizës së Partneritetit me Bankën Botërore, vendi ynë ka në dispozicion mjete të mjaftueshme për të cilat do të bëhen përpjekje që të rriten kapacitetet e institucioneve që të mund t’i realizojnë ato mjete dhe të japin ndikim pozitiv në disa fusha të shoqërisë.
Përkatësisht, me përkrahjen e Bankës Botërore, aktualisht janë duke u realizuar 10 projekte me vlerë prej afërsisht 500 milionë dollarëve amerikanë të destinuara për përmirësimin e infrastrukturës komunale, ndërtimin dhe rikonstruimin e rrugëve, modernizimin e bujqësisë, efikasitetin energjetik, reformat në sferën sociale, arsimin fillor dhe administratën publike.
Nëpërmjet Kornizës së re të Partneritetit për periudhën 2024-2028, 695 milionë euro janë në dispozicion për vendin tonë të destinuara për përkrahjen e projekteve që do të kontribuojnë në përmirësimin e mjedisit për hapjen e vendeve të reja të punës me paga më të larta në sektorin privat, përforcimin e qendrueshmërisë së ndryshimeve klimatike si dhe për uljen e ndotjes. Banka Botërore është përkrahësja më e fuqishme e vendit tonë në zbatimin e reformave të rëndësishme dhe zhvillimin e shoqërisë. Deri më tani janë realizuar 67 projekte me vlerë prej mbi 2.9 miliardë dollarëve amerikanë.