5 tetor 2024, Shkup – Në raportin e fundit për vendin, Agjencia Kreditore “Fitch” konfirmoi vlerësimin kreditor “BB+” me perspektivë stabile. Sipas “Fitch-it”, kjo është si rezultat i politikave makroekonomike kredibile dhe konsistente të mbështetura nga politika afatgjate e kursit fiks devizor, treguesit më të mirë në menaxhim sesa vendet me performancë të ngjashme ekonomike si dhe reformat në periudhë afatmesme lidhur me eurointegrimet.
Agjencia pret rritje të ekonomisë në vitet e ardhshme me mesatare prej 3.5%, ndërsa zbatimi i strategjisë kredibile fiskale afatmesme me ulje graduale të deficitit buxhetor do të jetë faktor krucial për stabilizimin e borxhit. Ajo pret ulje të moderuar të deficitit buxhetor në nivel deri në 3.5% në vitin 2026. Kjo ulje bazohet në pritshmëritë për normalizimin e detyrimeve të prapambetura, me ç’rast deficiti u rishikua me anë të ribalancit.
“Fitch-i” thekson luftën kundër ekonomisë gri nëpërmjet dixhitalizimit të proceseve si një hallkë të rëndësishme të politikës fiskale, me ç’rast vërehet pikësynimi i Qeverisë për vendosjen e faturave elektronike.
Borxhi, sipas “Fitch-it”, do të variojë mbi limitin e përcaktuar sipas Ligjit të Buxheteve. Në raport ceket se do të realizohet huaja prej 500 milionë eurosh nga Hungaria me interes më të ulët se në tregjet ndërkombëtare, për mbulimin e nevojave buxhetore. Në periudhën 2025-2026, presin vëllim më të madh të huamarrjes së brendshme në tregun e brendshëm, pasuar me hua të favorshme, përfshirë ato nga Banka Botërore dhe BERZH-i. Gjithashtu vlerësojnë se nuk do të shfrytëzohen mjetet nga Linja e Përkujdesjes dhe Likuiditetit nga FMN-ja, që u aprovuan dhe që paraqesin rezerva.
Sipas “Fitch-it”, rritja do të stimulohet nga realizimi i investimeve, veçanërisht ato infrastrukturore në korridoret 8 dhe 10d. Ndikim pozitiv do të ketë edhe përkrahja që Republika e Maqedonisë së Veriut merr nga BE-ja, si pjesë e procesit të integrimit evropian.
Vlerësimi i ruajtur kreditor është konfirmim i politikave të Qeverisë së re në drejtim të konsolidimit aktiv fiskal dhe stabilizimit të financave publike, që do të vazhdojë edhe në periudhën vijuese me Strategjinë fiskale të miratuar, Strategjinë e menaxhimit të borxhit publik dhe me Buxhetin për vitin 2025, që është në fazë përgatitore.
Agjencia Kreditore “Fitch” publikon dy herë në vit raporte për vlerësimin kreditor të vendit. Në muajin prill, vlerësimi kreditor i vendit “BB+” u konfirmua gjithashtu me perspektivë stabile. Vlerësimi kreditor “BB+” me perspektivë stabile është ruajtur që nga viti 2019.
Vlerësimi kreditor i vendit, si dhe politikat e zbatuara, vlerësohen edhe nga Agjencia Kreditore “Standard and Purse” dy herë në vit.
Vlerësimi kreditor i përgatitur nga agjencitë e vlerësimit kreditor tregon shkallën e riskut të investimit dhe është një nga treguesit kryesorë që investitorët potencialë marrin parasysh gjatë vendimmarrjes së tyre.