Кumtesa|

7 tetor 2024, Shkup – Ministria e Financave është thellësisht e vetëdijshme për nevojën e ndërmarrjes së aktiviteteve për t’u ballafaquar me ndryshimet klimatike, prandaj është ndërmarrë iniciativa për integrimin e kostove klimatike në kornizat e ardhshme buxhetore. Këtë e bëri të ditur zëvendësministiri i Financave, Nikollçe Jankullovski, i cili mori pjesë në panelin e diskutimit gjatë prezantimit të Raportit për klimën dhe zhvillimin e shteteve dhe pasqyrën e financave publike klimatike të Maqedonisë së Veriut, organizuar nga Zyra e Bankës Botërore në vendin tonë.

 

“Ministria e Financave është thellësisht e vetëdijshme për kostot e larta që lidhen me ballafaqimin e ndryshimeve klimatike, veçanërisht në kontekstin e dekarbonizimit dhe përforcimit të qëndrueshmërisë së vendit ndaj goditjeve të ardhshme klimatike.

Siç tregojnë shumica e analizave relevante, pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve ka të bëjë me sektorin energjetik, që konsiderohet si kyç në procesin e tranzicionit drejt ekonomisë së qëndrueshme dhe uljen e emisioneve të gazrave serrë. Siç u theksua në prezantimet e sotme, edhe pse këto investime janë të rëndësishme, çmimi i mosreagimit është shumë më i madh. Shfaqja e katastrofave klimatike në periudhën e fundit, siç janë zjarret në pyje gjatë periudhës verore dhe përmbytjet, pasqyron urgjencën e ndërmarrjes së aktiviteteve në këtë drejtim” theksoi Jankullovski.

Ai shpjegoi se në kuadër të Pasqyrës së financave publike për ndryshimet klimatike janë zhvilluar udhëzime për krijimin e buxhetit për klimën (Climate Budget Tagging – CBT), qëllimi i të cilit është identifikimi, monotorimi dhe menaxhimi i shpenzimeve publike të destinuara për aktivitetet klimatike. Sipas analizave në fjalë, siç theksoi ai, ky hap është kyç për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies gjatë shpërndarjes së mjeteve, të destinuara për ballafaqimin me sfidat klimatike.

 

“Në këtë fazë, edhe pse janë zhvilluar udhëzime për CBT-në, zbatimi i tyre praktik është ende në fazë të hershme. Një nga rekomandimet e Bankës Botërore është harmonizimi i CBT-së me taksonominë e gjelbër, për të përcaktuar dhe kategorizuar më qartë kostot klimatike dhe përfshirjen e tyre në proceset buxhetore në nivel nacional dhe lokal. Për shembull, qasja e Shqipërisë, ku ndryshimet klimatike janë të integruara në programet e planifikimit dhe zhvillimit të buxhetit nacional, mund të shërbejë si shembull për Maqedoninë”, tha zëvendësministri.

 

Zbatimi i CBT-së do të kërkojë një koordinim të konsiderueshëm ndër-resoriale.  Fokusi i veçantë do të kërkohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe institucionet e tjera relevante, të cilat do të duhet të integrojnë qëllimet klimatike në strategjitë dhe programet e tyre buxhetore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *