Кumtesa|

26 tetor 2024, Shkup – Qeveria e Maqedonisë vazhdon të jetë e përkushtuar në realizimin e projekteve që zbatohen me përkrahjen e Bankës Botërore dhe mundësinë e përfshirjes më të madhe se Korniza e miratuar e partneritetit, e cila është në vlerë prej rreth 700 milionë dollarëve. Përkrahja nga BB-ja ka vazhdimësi, me ç’rast do të vijojë edhe në periudhën vijuese, që do të thotë përkrahje për agjendën zhvillimore të vendit. Kjo u theksua në takimet e ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska në Bankën Botërore, me nënkryetaren e këtij institucioni Antonella Bassani, drejtorin ekzekutiv Eugene Rhuggenaath, si dhe me drejtorin për Ballkanin Perëndimor Xiaoqing Yu.

 

“Me përkrahje të Bankës Botërore, zbatimi i reformave paraqet proces të vazhdueshëm ku do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. Po zbatohen 10 projekte, vlera e të cilave është mbi 460 milionë dollarë dhe ato për Maqedoninë paraqesin përmirësim të infrastrukturës lokale komunale, ndërtim dhe rikonstruim të rrugëve, modernizim të bujqësisë, efikasitet energjetik, reforma në sektorin social, arsimin fillor dhe administratën publike. Reformat do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme përmes zbatimit të Kornizës së partneritetit 2024-2028 me fokus në përmirësimin më cilësor të shërbimeve publike, rritjen e produktivitetit të vendeve të punës në sektorin privat, si dhe rritjen e rezistencës ndaj klimës”, theksoi ministrja Dimitrieska-Koçoska.

 

Ajo theksoi se po merren aktivitete për përforcimin e kapaciteteve institucionale për absorbim dhe implementim më të madh të projekteve për të cilat janë miratuar mjete nga institucionet financiare ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Bankën Botërore.

 

Në takim u theksua rëndësia e përkrahjes së vazhdueshme që jepet nga Grupi i Bankës Botërore për reformat në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilat mbështeten nga politikat e Qeverisë së re për krijimin e bazës së mirëfilltë për sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe rritjen e përshpejtuar ekonomike.

 

Takimet e ministres në Bankën Botërore, në të cilat mori pjesë edhe guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhoska, u zhvilluan në kuadër të takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington. Paraprakisht, ministrja dhe guvernatorja zhvilluan takime me përfaqësues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërsa ministrja kishte takime të veçanta me institucione të tjera financiare ndërkombëtare, institucione që janë të përfshira në procesin e emetimit të eurobligacioneve, si dhe takime me kolegët e saj, respektivisht me ministra të Financave, pjesëmarrës në takimet vjetore në Uashington.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *