26 tetor 2024, Shkup – Do e stabilizojmë situatën e financave publike. Deficiti buxhetor për vitin e ardhshëm është planifikuar në nivel më të ulët dhe njëkohësisht presim që rritja për këtë vit ta kalojë nivelin e projektuar prej 2.1% dhe të përshpejtohet në 3.7% në vitin e ardhshëm. Kjo u theksua nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e ftuar në Ditarin e TV Sitel nga Uashingtoni, ku është pjesëmarrëse në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.
“Projeksioni i rritjes për këtë vit është 2.1% dhe qëndrojmë në atë projeksion, por unë jam më shumë optimiste se deri në fund të vitit do të kemi rritje mbi 2.1%. Këtë do ta bazojmë me efikasitetin e punës së institucioneve, në nxitjen e aktiviteteve në drejtim të realizimit të projekteve të korridorit 8 dhe 10d, si dhe në realizimin e projekteve të komunave. Si rezultat i gjithë këtyre angazhimeve do të kemi rritje ekonomike”, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska, e cila shtoi se në vitin e ardhshëm pritet rritje ekonomike prej 3.7%, duke marrë parasysh pritshmëritë e rritjes ekonomike në ekonominë globale, veçanërisht atë të Gjermanisë, si një nga partneret tona më të mëdha, si dhe duke marrë në konsideratë politikat e Qeverisë.
Sipas ministres, e rëndësishme është që rritja afatmesme e PBB-së do të ndikojë në uljen e nivelit të borxhit publik.
“Çdo huamarrje nënkupton rritjen e borxhit publik. Por, nëse marrim hua për investime që do t’i japin vlerë të shtuar ekonomisë, në periudhë të shkurtër do të ketë nivel më të lartë të borxhit publik, por në periudhë afatmesme, me rritjen e ekonomisë, niveli i borxhit publik do të ulet. Prandaj, prioritet duhet të jenë huamarrjet që duhet të përfundojnë në projekte cilësore që do t’i shtojnë vlerë PBB-së dhe në këtë mënyrë do të kemi rritje”, theksoi ministrja e Financave.
Sipas të dhënave për realizimin e deficitit buxhetor në nivel mujor të këtij viti dhe në periudhën deri në marrjen e pushtetit është realizuar 71% e deficitit të planifikuar, me ç’rast ajo theksoi se për vitin e ardhshëm është planifikuar nivel më i ulët i deficitit buxhetor.
Në vazhdim ajo ju referua takimeve që ka zhvilluar në Uashington, me ç’rast theksoi se të rëndësishme janë sidomos mbledhjet e mbajtura me institucionet financiare që janë të përfshira në procesin e emetimit të fletobligacioneve të vendit tonë dhe se i rëndësishëm është edhe informimi i tyre i rregullt për situatën, ku siç tha ajo, gjatë daljes në treg me fletëobligacion të ri, do të kemi kushte shumë më të mira.