8 nëntor 2024, Shkup – Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska dërgoi mesazh në Bruksel se Qeveria është e përkushtuar në mënyrë të fuqishme në zbatimin e reformave që janë pjesë e Agjendës reformuese dhe që paraqesin udhërrëfyesin real për përafrim më të shpejtë me BE-në dhe ngritje të standardit të qytetarëve.
“Ajo që është kyçe dhe që Qeveria i kushton vëmendje është zbatimi i reformave për përshpejtimin e rritjes ekonomike. Përveç Agjendës reformuese, që u përcaktua bashkërisht me KE-në, kemi edhe shumë aktivitete të parapara me Programin e punës për periudhën 2024-2028, të cilat do të shkaktojnë ndryshime për një të nesërme më të mirë. Një prej dokumenteve më të rëndësishme që pasqyron politikat që do të krijohen – Buxheti për vitin 2025 është i hartuar dhe i dorëzuar në procedurë parlamentare. Për atë që do të angazhohemi ndër të tjera është realizimi i investimeve sepse ato sjellin rritje ekonomike, por gjithmonë prioritet është edhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit”, theksoi ministrja e Financave gjatë takimeve me përfaqësues nga Drejtoria e KE-së për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerimit.
Ajo shtoi se ka shumë punë përpara në realizimin e reformave si dhe falënderoi për përkrahjen që vendi merr nga BE-ja. Në takim u theksua se progresi në zbatimin e reformave, si dhe përforcimi i kapaciteteve të administratës, hap mundësi për qasje më të madhe në mjetet nga fondet e BE-së dhe rritje të investimeve.
Në Bruksel, ministrja mori pjesë në konferencën e organizuar nga “Miqtë e Evropës” dhe realizoi takim me përfaqësues të Partisë Popullore Evropiane.