13 nëntor 2024, Shkup – Qasja papagesë e gazetarëve në të dhënat e Regjistrit Qendror, që i referohen Regjistrit të Llogarive Vjetore, Regjistrit Tregtar dhe Regjistrit të Personave të Tjerë Juridikë, mundësohet me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit të Regjistrit Qendror, që u miratua në Kuvend.
Siç u shpjegua, qëllimi i ndryshimeve është në drejtim të përkrahjes dhe nxitjes së hulumtimeve gazetareske.
Me propozimin e miratuar, Ligji i Regjistrit Qendror u harmonizua me Ligjin e Ndryshimit dhe Plotësimit të Ligjit për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore.
Regjistri Qendror paraqet bazën e qendrës informative të të dhënave të cilat vendosen, përpunohen në mënyrë elektronike, bashkohen, selektohen, ruhen dhe vihen në dispozicion të shfrytëzuesve të interesuar.
Respektivisht, me Ligjin e Regjistrit Qendror rregullohet themelimi, organizimi dhe fushëveprimi i punës së Regjistrit Qendror, përkatësisht marrëdhëniet mes këtij regjistri dhe regjistrave të tjerë bazë dhe shfrytëzuesve të tyre, marrëdhëniet me subjektet e tjera juridike, si dhe çështjet që lidhen me vendosjen, përpunimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e të dhënave relevante nga Regjistri Qendror te shfrytëzuesit e atyre të dhënave.