Кumtesa|

13 shkurt 2025, Shkup – Kthimi i mjeteve të paguara nga kompanitë për tatimin e solidaritetit është problem serioz dhe goditje e madhe për buxhetin. Në periudhën vijuese do të ulemi dhe do të diskutojmë me kompanitë për të parë se si do të servisohen detyrimet dhe do të shqyrtojmë mundësinë e shlyerjes.

 

Kjo u potencua nga ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, e ftuar në TV Alfa, duke theksuar se gjatë kohës së miratimit të këtij ligji, opozita nuk e përkrahu atë, sepse siç tha ajo, ky ligj u hartua në mënyrë krejtësisht të gabuar dhe nuk ka ndjekur atë që po bënte Evropa në atë kohë.

“Ky është një problem serioz dhe goditje e madhe për buxhetin. Do t’ju kujtoj komentet e mia si nënkryetare dhe të deputetëve tanë në periudhën e miratimit të këtij ligji, me ç’rast në Ministrinë e Financave, ndërkohë që po hartohej ligji dhe nga ku morëm ftesë për debat, dërguam shkresë zyrtare ku edhe sqaruam faktin se ne ishim kundër tatimit të solidaritetit.

 

Arsyeja ishte se me këtë ligj përfshiheshin të gjitha kompanitë, e jo ato për të cilat ky ligj ishte i dedikuar në Evropë dhe se kompanitë që ishin krijuar në vitin 2022 ekskluzivisht për prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike nuk i nënshtroheshin pagesës së tatimit

Po ashtu, përllogaritja ishte lidhur me fitimin dhe potencuam se jo gjithmonë fitimi është i lidhur me likuiditetin. Por tani nga pozita e ministres jam e shqetësuar. Lista e kompanive tregon se ka kompani shtetërore që kanë paguar tatimin e solidaritetit. Si për shembull EMV-ja, kompani që ka marrë ndihmë prej 300 milionë eurove për të mbijetuar, ndërsa nga ana tjetër ka paguar tatimin e solidaritetit. Këtu përfshihet SHA Ekonomia e Ujërave, si dhe Pyjet Nacionale, të cilave duhej t’u transferonim mjete financiare që të punësuarit të merrnin rrogat e tyre, kjo është absurde”, theksoi ministrja.

 

Në lidhje me mjetet nga huaja hungareze të destinuara për kompanitë, ajo tha se tashmë janë nënshkruar marrëveshjet mes Bankës Zhvillimore dhe bankave komerciale dhe se informacionet nga bankat janë se ka interes nga ana e kompanive. Ajo theksoi se pret aprovim dhe transferim më të shpejtë të mjeteve dhe theksoi se nga java tjetër do të realizohen takime me komunitetin e biznesit.

 

Lidhur me inflacionin dhe masat e Qeverisë, ministrja theksoi se ato janë korrekte dhe kanë efekte afatshkurtra, ndërsa kjo duhet të zgjidhet në periudhë afatgjate dhe nëpërmjet ligjit, që të arrihet te ulja e çmimeve në markete në mënyrë të natyrshme dhe ekonomike.

“Inflacioni aktualisht është në nivelin e projektuar, ndërsa në vitin 2025 presim stabilizim të plotë. Sigurisht kjo do të ndikohet edhe nga ajo që do të ndodhë në nivel ndërkombëtar sepse ne varemi nga ky aspekt, por më shumë varemi edhe nga politikat që po zbaton Qeveria. Nëse Qeveria shpenzon me kujdes, e sidomos në investime kapitale, ndërsa më pak ose aspak në shpenzime joproduktive, atëherë është e logjikshme që të ketë stabilizim të inflacionit. Prandaj janë edhe këto kontrolle.

 

Këto shpenzime të pakontrolluara, siç kanë ndodhur më herët me pararendësin tim, nxisin inflacionin”, theksoi ministrja.

 

Gjatë intervistës, aјо iu referua edhe punës së institucioneve nën ingerenca të Ministrisë së Financave, duke theksuar se ato kanë arritur rezultate të rëndësishme në punën e tyre, aq më tepër që në një periudhë të shkurtër kohore janë konsoliduar, komunikojnë në baza ditore dhe shkëmbejnë informacione, duke iu shmangur mosprocedimit.

 

Ajo theksoi se, Drejtoria e Policisë Financiare ka bërë kallëzim penal prej rreth 15 milionë eurove dhe se deri të premten do të ngrihen kallëzime të reja për TEC Manastir. Gjithashtu edhe Drejtoria Doganore për herë të parë ka bërë kallëzim penal, ndërsa Drejtoria e të Ardhurave Publike po ballafaqohet me sfidat paraprake.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *