13 shkurt 2025, Shkup – Zëvendësministri i Financave Nikollçe Jankullovski, i ftuar në TV Telma tha se Qeveria dhe institucionet përmes rezultateve kanë treguar se si punohet. Ka probleme që pavarësisht përpjekjeve vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura, por do të ndërmerren masa dhe do të ketë zgjidhje për to që do të bëhen publike.
Zëvendësministri, lidhur me masat për përballimin e inflacionit tha se, kushtet e konstatuara në terren do të analizohen nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, se informacioni do të përcillet në Qeveri për të parë se ku është problemi që rezulton në marzhe të tilla dhe se nëse është e nevojshme do të bëhen ndryshime në Ligjin e Parandalimit të Praktikave të Padrejta Tregtare.
“Për implementimin e Ligjit të Parandalimit të Praktikave të Padrejta Tregtare nevojiten 12 muaj zbatim, respektivisht duhet të shohim se si kanë lëvizur marzhet muaj pas muaji, që të nxjerrim një vlerë të ponderuar dhe nëse fillojmë nga data 01.01.2025, vetëm në datën 31.12.2025 do të dimë nëse është respektuar ky aspekt ose jo. “Por ne nuk kemi aq shumë kohë për të pritur dhe për të lejuar prodhuesit, distributorët dhe tregjet të vendosin marzhet e tyre”, theksoi zëvendësministri.
Ai njoftoi se tashmë është formuar një grup pune që do t’i shqyrtojë drejtpërdrejt të gjithë treguesit dhe konkluzionet përkatëse nga inspektimet dhe se do të ketë zgjidhje.
Lidhur me përkrahjen e kompanive nga huaja hungareze, Jankullovski theksoi se biznesi meriton perkrahje që realizohet përmes buxhetit e cila është 30% më e lartë se në vitin paraprak, si dhe me mjetet e favorshme të siguruara nga huaja hungareze.
Ai vlerëson se këto mjete do të shfrytëzohen nga kompanitë për të investuar në mjete fikse, teknologji të reja, objekte të reja që do ta stimulojnë dhe forcojnë aktivitetin ekonomik, duke amortizuar kështu ndikimin negativ që do të rezultonte nën presionin e zhvillimeve në ekonominë gjermane.
Përkrahja e komunave vijon më tej. Ashtu siç theksoi ai, për realizimin e projekteve nga thirrja e parë tashmë janë transferuar 77 milionë denarë dhe se në periudhën e ardhshme katërvjeçare do të investohen 1 miliardë euro në zhvillimin lokal përmes komunave.