6 mars 2025, Shkup – Maqedonia iu bashkua Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). “Kompanitë do t’i bashkohen më lehtë tregtisë ndërkufitare të mallrave dhe shërbimeve, ndërsa qytetarët do të marrin shërbime më të thjeshta, më të shpejta dhe më të lira për transfertat e parave në vendet e SEPA-s”, ka shkruar ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në profilin e saj në Facebook pasi Këshilli Evropian i Pagesave miratoi Vendimin në Bruksel.
“Ky është konfirmimi i përpjekjeve të Ministrisë së Financave, Bankës Popullore dhe institucioneve të tjera që kanë punuar në periudhën e kaluar për harmonizimin e rregullativës për anëtarësimin e vendit në zonën e SEPA-s, përkatësisht një sistem të vetëm pagesash për qytetarët dhe bizneset nga vendi ynë me ato të zonës së SEPA-s, përkatësisht të BE-së. Për kompanitë e bëjmë më të lehtë përfshirjen në tregtinë ndërkufitare të mallrave dhe shërbimeve në zonën e SEPA-s dhe zgjerimin e biznesit të tyre si dhe rritjen e konkurrencës së tyre, ndërsa për qytetarët ofrojmë shërbime më të thjeshta, më të shpejta dhe më të lira për transfertat e parave në vendet e SEPA-s”, thekson ministrja.
Ajo shton se për arritjen e këtij qëllimi, Ministria e Financave ka filluar me ndryshimin e Ligjit të Shërbimeve të Pagesave dhe Sistemeve të Pagesave dhe Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, me qëllim të harmonizimit me rregullativat e BE-së.
“Kompanitë dhe qytetarët do të kryejnë transferta në qarkullimin e brendshëm të pagesave me 38 vende që janë pjesë e SEPA-s dhe BE-së. Rezultatet po vijnë, nuk heqim dorë nga pikësynimi i vendosur për të krijuar një shtet të përparuar dhe ekonomi të zhvilluar. Maqedonia ndjek trendet botërore”, thekson ministrja Dimitrieska-Koçoska.