24 prill 2025, Shkup – Një pjesë e mesazheve që ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, do t’i përcjellë gjatë takimeve në Uashington, ku është edhe pjesëmarrëse në Takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore janë gjendja ekonomike, politikat e ndërmarra nga Qeveria dhe përkushtimi për zbatimin e këtyre politikave për arritjen e rritjes së planifikuar ekonomike dhe stabilizimin e inflacionit.
“Në Uashington me institucionet financiare ndërkombëtare dhe investitorët do të diskutojmë mbi gjendjen ekonomike. Është e rëndësishme që të zhvillohen takime të rregullta, sepse në fillim të vitit 2026, presim ta emetojmë euroobligacionin prej të paktën 700 milionë eurove, sepse maturon shlyerja e euroobligacionit të emetuar paraprak në vlerë prej 700 milionë eurove. Ky komunikim i tillë dhe i vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare është i rëndësishëm për të treguar se po punojmë me përkushtim, gjë që ndikon në vlerën e interesit”, theksoi ministrja gjatë intervistës për televizionin maqedonas.
Ajo shtoi se nuk do të rishikohet projeksioni për rritjen ekonomike prej 3.7% dhe theksoi se kjo bazohet mbi atë që po punohet, me ç’rast ky aspekt do të prezantohet edhe në takimet me përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së. Sa i përket inflacionit, gjithashtu ajo potencoi se po ndërmerren masa, ku në periudhë afatmesme, në këtë drejtim do të ketë stabilizim.
Ministrja potencoi se pret përkrahje nga BB-ja lidhur me zbatimin e digjitalizimit të proceseve në Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike, si dhe përkrahje nga Thesari i SHBA-së përmes ekspertizës për përshpejtimin e zbatimit të këtyre proceseve.
Ashtu siç theksoi ajo, kjo do të ndihmojë në ofrimin e shërbimeve më të shpejta ndaj bizneseve, gjë që u diskutua edhe në takimet me diasporën maqedonase në Çikago, që kanë kompanitë e tyre në SHBA, si dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe që planifikojnë t’i zgjerojnë aktivitet e tyre afariste.
Sa i përket çështjes lidhur me pagesën e pagave të të punësuarve në institucionet e sektorit të kulturës, ajo tha se kjo do të realizohet në atë moment kur pagat do të përllogariten në përputhje me ligjin.
“Insistoj që nga dita e parë që përllogaritjet të bëhen sipas marrëveshjeve kolektive të përgjithshme dhe të veçanta dhe në momentin që përllogaritja do të bëhet në përputhje me ligjin, do të bëhet edhe pagesa e tyre. Nëpërmjet buxhetit, 90.000 persona marrin paga dhe nuk ka pasur asnjë problem, ku të njëjtat ligje vlejnë edhe për të punësuarit në sektorin e kulturës dhe ato duhet të respektohen”, theksoi ministrja, duke shtuar se çështja e pagesës së pagave të inspektorateve vjen si shkak i joharmonizimit me ligjet e veçanta.