26 prill 2025, Shkup – Qeveria po krijon partneritet me Bankën Botërore në zbatimin e reformave dhe prioriteteve të përcaktuara për përmirësimin e kushteve jetësore dhe përforcimin e kapaciteteve institucionale. Korniza e Partneritetit për periudhën 2024-2028, ndjek axhendën zhvillimore të vendit dhe ofron përkrahje në vlerë prej 695 milionë dollarësh amerikanë për përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike, vende pune më produktive në sektorin privat dhe prforcimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike. Kjo u theksua gjatë takimeve të ministres së Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, me drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore, Juxhin Rugenat, nënkryetaren Antonella Basani, drejtorin rajonal për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe Azinë Qendrore, Shiaoçin Ju, si dhe me drejtorin e Bankës Botërore për vendin tonë, Masimiliano Paoluçi. Në këto takime mori pjesë edhe guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska.
“Banka Botërore është partnerja jonë në realizimin e projekteve me të cilat përmirësojmë infrastrukturën, por edhe me përkrahjen e saj në zgjidhjen e shumë sfidave në fushën e shërbimeve sociale, shëndetësisë, në vendosjen e teknologjive të reja etj.. Aktualisht po punohet mbi 10 projekte që financohen nga Banka Botërore në vlerë prej 468 milionë dollarësh amerikanë, që orientohen në përmirësimin e akseve rrugore, efikasitetin energjetik në sektorin publik, lehtësimin e tregtisë dhe transportit në rajonin e BP-së, ndërtimin dhe rikonstruimin e rrugëve lokale, përmirësimin e shërbimeve sociale, modernizimin e bujqësisë, avancimin e arsimit fillor etj.”, potencoi ministrja.
Gjatë takimit u konfirmua vijimësia e përkrahjes së Bankës Botërore për vendin tonë dhe se ajo do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme në përputhje me fushat prioritare që do të përcaktohen nga Qeveria. Realizimi i projekteve do të definohet nga Korniza e partneritetit.
Takimet u mbajtën në kuadër të Takimeve pranverore të FMN-së dhe BB-së të cilat u zhvilluan në Uashington nga 21 prilli deri më 26 prill. Ministrja gjatë qëndrimit në Uashington u takua edhe me përfaqësuesit e lartë të FMN-së, Thesarit të SHBA-së dhe korporatave financiare multinacionale. Më herët vizitoi Çikagon, ku atje u takua me komunitetin maqedonas. Gjatë takimeve ministrja theksoi qëllimet e politikave fiskale, përpjekjet për konsolidimin fiskal dhe angazhimin për arritjen e normave më të larta të rritjes ekonomike.