19 korrik, Shkup 2019 – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, së bashku me zëvendësministren e Financave Shiret Elezi, sot u takuan me përfaqësues të Institutit të Kontabilistëve dhe Kontabilistëve të Autorizuar (IKKA), të udhëhequr nga kryetarja Lençe Papazovska.
Në këtë takim, bashkëbiseduesit ranë dakord që veprimtaria e kontabilitetit është shumë e rëndësishme dhe u potencua se Qeveria me seriozitet qaset ndaj gjetjes së një zgjidhjeje sistemore për zhvillimin dhe rregullimin e këtij profesioni.
Të pranishmit e mirëpritën përpilimin e Propozim ligjit të ri për kryerjen e punëve të kontabilitetit, i cili është në procedurë parlamentare dhe vlerësuan se miratimi sa më i shpejtë i tij është i domosdoshëm dhe do të kontribuojë në ngritjen e standardeve për punë dhe do të sigurojë punë transparente dhe të përgjegjshme me qëllim të zhvillimit të profesionit të kontabilitetit .