Kolumna, Кumtesa|

25 shtator 2021, Shkup – Ministria e Financave gjatë periudhës së kaluar punoi në mënyrë aktive në drejtim të reformës për avancimin e decentralizimit fiskal, e cila ofron zgjidhje serioze sistematike sa i përket financave stabile të komunave, që do të thotë komuna të përgjegjshme dhe ofrim të shërbimeve cilësore dhe efikase për qytetarët.

E kemi shdërruar reformën në një zgjidhje ligjore që tashmë ka kaluar në procedurë qeveritare. Kjo reformë përbëhet nga tre shtylla: (1) rritja e kapacitetit fiskal të komunave dhe rritja e të hyrave të komunave; (2) rritja e disiplinës financiare të komunave, zvogëlimi i borxheve dhe menaxhimi në mënyrë ekonomike; dhe (3) rritja e transparencës dhe llogaridhënies. Aktivitetet e parashikuara me Propozim ligjin për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale kanë për qëllim sigurimin e demokratizimit shtesë të shoqërisë, sigurimin dhe ofrimin e shërbimeve më efikase dhe më ekonomike, por edhe zhvillimin e përforcuar lokal.

Ndërtimi i sistemit të mirëvendosur të financave publike është proces i gjerë i cili përbëhet nga disa segmente, midis tyre është edhe decentralizimi fiskal dhe është bazë për sistem të qëndrueshëm ekonomik. Avancimi i decentralizimit fiskal është në përputhje të plotë me Kartën evropiane mbi vetëqeverisjen lokale të Këshillit të Evropës (1985), e cila u miratua me Deklaratë dhe u ratifikua edhe në Kuvendin tonë në vitin 1997.

Pushtetet lokale janë më afër qytetarëve dhe transferimi i kompetencave të shumta në nivel lokal dhe sigurimi i më shumë mjeteve është kontribut për komuna funksionale dhe për kryerje më efikase të shërbimeve. Ato kujdesen për shumë sfera të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejt mbi jetën e qytetarëve. Janë përgjegjëse në sferën e arsimit, mbrojtjes sociale, mbrojtjes së mjedisit jetësor, shërbimeve komunale, sportit dhe rekreacionit, mbrojtjes kundër zjarrit… dhe prandaj është e rëndësishme posedimi i financave stabile.

 

Më shumë financa dhe fonde të reja për shpërndarje të mjeteve për komunat

Të dhënat tregojnë se nga viti 2005 deri në vitin 2019, mjetet janë rritur nga 5.9 miliardë denarë deri në 37 miliardë denarë. Aktualisht, komunat sipas ligjit marrin 2.8 miliardë denarë në bazë të dotacionit të TVSH-së dhe tatimit mbi të ardhurat personale, ndërsa me reformën parashihen që këto mjete të arrijnë në 5.2 miliardë denarë në vitin 2024. Kjo do të arrihet me rritjen e të hyrave të parashikuara aktuale prej 3% për komunat nga tatimi mbi të ardhurat personale në 6% dhe norma e dotacionit të TVSH-së nga 4.5% në 6%, që do të zbatohen nga viti 2024.

Deri në vitin 2024, parashihet rritje graduale e të hyrave të tatimit mbi të ardhurat personale. Gjegjësisht, përqindja për vitin 2022 do të jetë 4%, për vitin 2023 do të jetë 5% dhe në vitin 2024 do të arrijë 6%. Këto të hyra, komunat i marrin nga të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale mbi pagat e personave fizikë, të akëtuara në komunën në të cilën janë paraqitur me vendbanim dhe vendqëndrim të përhershëm. Gjithashtu, rritje graduale do të ketë edhe norma e dotacionit të TVSH-së, kështu që në vitin 2022 do të jetë 5% dhe në vitin 2023 do të jetë 5.5%

Mjetet nga rritja shtesë e përqindjes së TVSH-së për komunat do të shpërndahen në dy fonde të reja – Fondi i performancës (suksesit) dhe Fondi i barazimit.

Komunat që kanë arkëtim më të mirë të të hyrave lokale do të shpërblehen nga Fondi i performancës, ndërsa Fondi i barazimit do të veprojë në drejtim të zvogëlimit të diferencave sipas kapacitetit fiskal të komunave. Gjegjësisht, komunat që do tregojnë rezultate pozitive dhe që kanë realizim më të lartë të të hyrave vetanake do të sigurojnë më shumë mjete nga Fondi i performancës, ndërsa nga Fondi i barazimit do të sigurohen mjete për komunat që kanë të hyra më të ulëta, por që tregojnë përpjekje fiskale dhe rezultate të mira në mbledhjen e të hyrave vetanake.

Kështu, në Fondin themelor për shpërndarjen e mjeteve nga TVSH-ja do të rritet kriteri për çdo banor nga 65% në 80%, duke pasur parasysh faktin se në të hyrat nga TVSH-ja, qytetarët kontribuojnë përmes konsumit, ndërsa numri i banorëve është tregues relevant për përcaktimin e nevojës së shërbimeve publike që komunat duhet t’i ofrojnë për qytetarët e tyre.

Në Fondin e performancës dhe Fondin e barazimit nga viti 2024 do të shpërndahen 0.75% të tatimit të arkëtuar mbi vlerën e shtuar të realizuar në vitin fiskal paraprak, ndërsa 4.5% do të alokohen në Fondin themelor.

Në vitin 2022, pas fillimit të rritjes graduale të mjeteve të parapara për komunat, në Fondin themelor dhe Fondin e barazimit do të shpërndahen resprektivisht 0.25%, ndërsa në Fondin themelor 4.5%. Në vitin 2023, kur të hyrat nga TVSH-ja do të rriten në 5.5% të tatimit të arkëtuar mbi vlerën e shtuar të realizuar në vitin fiskal paraprak, në Fondin e performancës dhe Fondin e barazimit do të shpërndahen resprektivisht 0.5%, ndërsa në Fondin themelor 4.5%.

Përveç përmirësimit të kapacitetit fiskal dhe rritjes së të hyrave të komunave, me këtë reformë do të veprohet edhe në rritjen e të hyrave vetanake të komunave përmes përmirësimit të efikasitetit të administratës dhe të hyrave të reja lokale sipas praktikave më të mira të BE-së për cilësinë e shërbimeve dhe përmirësimin e kritereve për shpërndarjen e mjeteve të ndara për kompetencat e transferuara.

 

Program i veçantë dhe instrumente të reja për disiplinë më të madhe financiare

Shtylla e dytë e reformës vepron në drejtim të rritjes së disiplinës financiare të komunave, zvogëlimit të borxheve dhe menaxhimit në mënyrë ekonomike, ndërsa aktivitetet janë në drejtim të planifikimit real të të hyrave dhe shpenzimeve të komunave, racionalizimit të punës dhe uljes së shpenzimeve të panevojshme, servisimit të rregullt të borxhit, disiplinës më të madhe financiare, procedurave për shpalljen e jostabilitetit financiar, emetimit të obligacionit komunal dhe analizës së detyrimeve ekzistuese të komunave dhe ndërmarrjeve publike.

Gjatë periudhës së josabilitetit financiar, komunave do t’u jepet përkrahje përmes programit të veçantë, ku tani do të shpallet me fuqi të ligjit. Për të kapërcyer problemet me detyrimet e maturuara dhe të papaguara, komunat do të kenë në dispozicion obligacion strukturor 10 vjeçar për riprogramimin e tyre. Ky është një nga tre instrumentet e parashikuara. Me anë të ligjit, do të mund të shfrytëzojnë edhe kredinë e kushtëzuar (Stand-by) nga Ministria e Financave dhe të emetojnë obligacion komunal për blerës të njohur – Ministria e Financave. Ky ndryshim do të hyjë në fuqi nga muaji korrik i vitit 2022, me qëllim që komunat të kenë kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur. Gjithashtu, në këtë periudhë kalimtare nga dita e miratimit të ndryshimeve në ligj, komunat do të mund ta shfrytëzojnë obligacionin strukturor për detyrimet ekzistuese që nga data 30.09.2021. Si zgjidhje e periudhës kalimtare është ofrimi i mundësisë për komunat, që t’i konsolidojnë buxhetet e tyre dhe të mund të përqëndrohen në zhvillimin e komunave.

Kjo mënyrë e zgjidhjes së problemeve sa i përket detyrimeve të pashlyera lidhet me plotësimin e kushteve për shpalljen e jostabilitetit financiar, i cili parasheh përforcim të njëkohësishëm të të gjithë procedurës nga momenti i shpalljes deri në ditën e tejkalimit të jostabilitetit financiar. Kjo do të thotë që komunat nuk do mund t’i destinojnë mjetet në drejtim të shpenzimeve të panevojshme. Me fjalë të tjera, komunat do të marrin më shumë para, por do të ketë më shumë kontroll mbi financat e tyre.

 

Rritja e llogaridhënies për shpenzimin e mjeteve

Përforcimi i përgjegjësisë fiskale të komunave do të rrisë transparencën e punës së komunave.

Кomunat do kenë si detyrim që në mënyrë transparente, të publikojnë të dhëna financiare në ueb faqet e tyre, të rrisin llogaridhënien gjatë shpenzimit të të gjitha mjeteve të ndara nga shteti me ç’rast do të zbatohet edhe rritja e kontrollit nga Inspektimi financiar për respektimin e rregulloreve ligjore dhe për shpenzimin racional dhe të dedikuar të mjeteve dhe kryerjen e inspektimit financiar në bazë të paraqitjeve për mosrespektimin e Ligjit për paraqitje dhe evidencë të detyrimeve dhe paraqitjeve për mosrespektimin e Ligjit për disiplinën financiare.

 

Zhvillim më i shpejtë rajonal dhe më shumë mjete për projekte infrastrukturore përmes Agjencisë për zhvillim rajonal dhe lokal

Zhvillimi më i shpejtë rajonal do të arrihet përmes më shumë mjeteve për projekte infrastrukturore që do të jenë në dispozicion përmes Agjencisë së sapokrijuar për zhvillim rajonal dhe lokal.

Agjencia do të ketë mjete nga buxheti qendror, por edhe mjete nga institucionet financiare vendore dhe ndërkombëtare për financimin e projekteve infrastrukturore kapitale për komunat.

Përveç kësaj, përkrahja e konsiderueshme në zhvillimin e komunave zbatohet edhe përmes projekteve të pushtetit qendror të financuara nga institucionet financiare ndërkombëtare, ku i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi ndërkufitar, i financuar nga mjetet e BE-së dhe i bashkëfinancuar nga buxheti i shtetit.

Me angazhimin e pushtetit qendror dhe lokal, si dhe me më shumë mjete për projektet zhvillimore, mund të ndikohet më shpejt në drejtim të ndryshimit dhe përmirësimit të kushteve të jetesës në të gjitha komunat.

Disa studime tregojnë korrelacionin pozitiv midis shkallës së decentralizimit fiskal dhe nivelit të zhvillimit ekonomik, përkatësisht niveli mesatar i decentralizimit fiskal në vendet e zhvilluara është më i lartë se në vendet në zhvillim.

 

Përmes procesit gjithëpërfshirës dhe transparent drejt zgjidhjeve optimale

I gjithë procesi deri më tani është kryer me konsultime publike me BNJVL-në, partnerët ndërkombëtar zhvillimor, komunitetin akademik, komunitetin afarist si dhe palët e tjera të interesuara, ku përmes procesit gjithëpërfshirës dhe transparent të arithen deri te zgjidhjet optimale të cilat do të kontribuojnë që komunat të jenë funksionale dhe të ofrojnë shërbime cilësore për qytetarët.

Disa vjet pas ratifikimit të Kartës Evropiane mbi Vetëqeverisjen Lokale, Republika e Maqedonisë së Veriut hyri në procesin e transferimit të një pjese të kompetencave të arkëtimit të të hyrave publike dhe kryerjes së shpenzimeve publike tek njësitë e vetëqeverisjes lokale me miratimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale në vitin 2002. Procesi i decentralizimit u realizua në disa faza.

Në “fazën zero” u mundësuan kapacitete minimale të domosdoshme për menaxhim financiar nga komunat. Në fazën e parë vijoi transferimi i pronës dhe detyrimeve nga kompetencat e decentralizuara. Në fazën e dytë, komunat morën kompetenca për sjelljen e vendimeve në lidhje me funksionimin e shfrytëzuesve të buxhetit.

Decentralizimi fiskal u realizua gjithashtu në disa faza, ndërsa hap serioz në vend u bë në muajin korrik të vitit 2005, kur u bë ndryshimi i një sërë ligjesh në sferën e financimit – Ligji për tatimet mbi pronën, Ligji për taksat komunale dhe Ligji për taksat administrative.

Decentralizimi fiskal është një proces që duhet të përmirësohet dhe reformohet para së gjithash në mënyrë të përbashkët si dhe përmes përpjekjeve që bëjnë komunat për të mbledhur të ardhurat e tyre, të cilat së bashku me qeverinë qendrore do të jenë në gjendje të ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët e tyre.

Dhe së fundi, duke pasur parasysh se me këtë pako të reformave krijojmë mundësi të shumta për financimin dhe zhvillimin e komunave përmes përforcimit të vetëqeverisjes lokale dhe autonomisë financiare dhe që kjo të arrihet me sukses, duke përdorur retorikën e Paul Harvey, këtë kolumnë do ta përfundoj me një thënie të tij, si porosi për kryetarët e ardhshëm të komunave: “Vetëqeverisja nuk do të funksionojë pa vetëdisiplinë”.

 

Fatmir Besimi, ministër i financave

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *