Кumtesa|

19 shkurt 2022, Shkup – Agjencia e vlerësimit të kredisë “Standard & Poor’s” e konfirmoi vlerësimin e kredisë së vendit me BB-, me perspektivë stabile. Perspektiva stabile reflekton pritshmëritë se perspektivat e fuqishme lidhur me rritjen ekonomike të vendit tonë do t’i përkrahin përpjekjet e Qeverisë për konsolidimin buxhetor dhe do të mundësojnë stabilizimin e borxhit shtetëror në periudhë afatmesme. Vlerësimin e kredisë BB me perspektivë stabile Republika e Maqedonisë së Veriut e ka që nga viti 2013 dhe në vazhdimësi, megjithatë me rëndësi është të theksohet se edhe gjatë viteve 2020 dhe 2021, kur vendi ballafaqohej me ndikimin e krizës së shendetësisë dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia e Kovid 19, ky vlerësim nuk është ndryshuar.

Agjencia vë në dukje se, vlerësimi mund të rritet nëse përpjekjet për reforma strukturore vazhdojnë, duke përforcuar kapacitetin institucional përmes konsolidimit të politikave të qëndrueshme fiskale.

Qëllimi i anëtarësimit të vendit tonë në BE mund të kontribuojë në përforcimin e kornizës institucionale, ndërsa qeveritë aktuale të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Republikës së Bullgarisë kanë vendosur dinamikë pozitive në negociatat e anëtarësimit në BE, theksohet në raport.

Sipas “Standard & Poor’s”, ekonomia e Republikës së Maqedonisë ka arritur nivelin e saj si para pandemisë. Bartësit e rritjes do të vazhdojnë të jenë konsumi i fuqishëm privat i përkrahur nga politika e adaptueshme monetare, rritja e pagave, remitancat nga diaspora, si dhe investimet.

Me Planin për përshpejtimin e rritjes ekonomike, rritja e investimeve është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë dhe do të përfshihen sektorë të ndryshëm, të tilla si arsimi, transporti, energjia, infrastruktura rrugore dhe shëndetësore. Projekte të rëndësishme janë Korridori VIII dhe Gazsjellësi interkonektues ndërmjet Maqedonisë së Veriut – Greqisë, thuhet në raport.

Siç u potencua, pavarësisht kontraktimit të shkaktuar nga pandemia, eksporti u rikuperua në mënyrë të fuqishme falë rritjes së kërkesës së jashtme, veçanërisht nga partnerët kryesorë tregtarë në BE.

Agjencia thekson se rimëkëmbja graduale ekonomike dhe masat e Qeverisë ndihmuan që shkalla e papunësisë të zvogëlohet në 15.7% në tremujorin e tretë të vitit 2021 nga 16.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Pritshmëritë e “Standard & Poor’s” lidhur me borxhin janë që i njëjti të stabilizohet në 56-57% të PBB-së në periudhë afatmesme. Deficiti buxhetor vlerësohet të jetë 5.5% të PBB-së në vitin 2021, që është më i ulët se projeksioni prej 6.5% në buxhetin e vitit 2021. Kjo rezulton me rritjen më të lartë nominale të PBB-së, si dhe performancën solide të të hyrave.

Vlerësimi i kredisë së një vendi tregon nivelin e rrezikut nga investimi në të dhe është një nga treguesit kyç që investitorët potencialë marrin parasysh gjatë vendimmarrjes së tyre.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *