16 prill 2022, Shkup – “Rritja e produktivitetit të një kombi është faktor kryesor për rritjen e pagave reale dhe standardit të jetesës”, ka thënë Paul Samuelson, babai i ekonomisë moderne dhe fitues i çmimit Nobel në ekonomi. Nobelisti tjetër i ekonomisë, Joseph Stiglitz vendosi teorinë e produktivitetit margjinal, e cila thotë se “të gjithë pjesëmarrësit në procesin e krijimit të vlerës së re marrin kompensim të barabartë me produktivitetin e tyre margjinal, respektivisht të asaj që inkorporojnë në proces”. Ose siç do të thoshte nobelisti Krugman, “Produktiviteti nuk është gjithçka, por në periudhë afatgjate është pothuajse gjithçka”.
Produktivitetin, si faktor të rritjes, e kemi në të gjitha modelet e rritjes ekonomike. Në modelet ekzogjene të rritjes është i pranishëm modeli i Cobb-Douglas përmes koeficientit të faktorit total të produktivitetit, me ç’rast modeli Solow shprehet përmes zhvillimit teknologjik dhe modeleve të tjera, ku si rezultat i produktivitetit rritja ekonomike rritet në korniza të njësive të njëjta të kapitalit dhe punës. Mandej, produktiviteti është në bazën e të gjitha modeleve endogjene të rritjes, siç janë modelet e nobelistëve Romer, Lucas dhe të tjerë, të cilët vlerësojnë se investimi në kapitalin njerëzor, inovacionin dhe njohuritë mund të gjenerojë në mënyrë permanente rritje ekonomike dhe gjithashtu me politika të duhura ekonomike mund të inkurajohen eksternalitetet në ekonomi.
Produktiviteti, në ekonomi është masë e produktit përfundimtar, respektivisht rezultat ekonomik përfundimtar, sipas njësisë së punës, kapitalit ose burimeve të tjera të investuara. Kur produktiviteti rritet, fitimi potencial, përkatësisht pagat, fitimi i korporatave dhe standardi i jetesës – rriten. Aftësia e një vendi për ta përmirësuar standardin e jetesës për qytetarët e tij, varet pothuajse tërësisht nga kapaciteti i tij për të rritur rezultatet ekonomike për çdo të punësuar. Produktiviteti është në fakt burimi i rritjes ekonomike dhe konkurrencës.
Në shkencën ekonomike ka disa tregues për matjen e produktivitetit. Një nga këto është produktiviteti i punës (labor productivity), sipas së cilit produkti i brendshëm bruto pjestohet me orët e punës së të gjithë të punësuarve. Vendet me produktivitetin më të lartë të punës në vitin 2020, sipas të dhënave të OECD-së janë Irlanda me 119.4 dollarë PBB të gjeneruar për orë pune, Luksemburgu me 111 dollarë, Danimarka me 87.9 dollarë, Belgjika me 87 dollarë, Norvegjia me 85.7 dollarë dhe Zvicra me 91.6 dollarë. Në krye të listës figurojnë: Franca me 79.8 dollarë, Austria dhe SHBA-ja me 79.6 dollarë dhe Suedia me 79.2 dollarë. Shkurtimisht, ekonomi të zhvilluara dhe qëndrueshme.
Punëtori ynë prodhon dy herë më pak se ai në BE
Tregues tjetër për matjen e produktivitetit të punës është rezultati ekonomik për të punësuar në ekonomi. Sipas këtij treguesi, të llogaritur nga Banka Botërore, Republika e Maqedonisë së Veriut në vitin 2020 ka gjeneruar 43.883 dollarë për të punësuar. Krahasuar me rajonin e Ballkanit Perëndimor, jemi relativisht afër sipas këtij treguesi. Respektivisht, për periudhën e njëjtë, Mali i Zi gjeneroi 50.865 dollarë për të punësuar, Bosnja dhe Hercegovina 47.051 dollarë, Serbia 43.874 dollarë dhe Shqipëria 31.883 dollarë për të punësuar. Krahasuar me vendet e tjera në afërsi të vendit tonë, tashmë vërehet diferencë më e madhe, për shembull Sllovenia në të njëjtin vit realizoi 79.612 dollarë për të punësuar, ndërsa Kroacia 67.138 dollarë. Krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian (93.073 dollarë për të punësuar), jemi pothuajse dyfish prapa. Gjermania, si ekonomia më e madhe në BE, gjeneroi 100.765 dollarë për të punësuar në vitin 2020.
Ekzistojnë faktorë të shumtë që ndikojnë në produktivitetin e një vendi, duke përfshirë investimet në pajisje, inovacionin, organizimin e zinxhirëve të furnizimit, arsimin, konkurrencën etj. Faktori total i produktivitetit (Total Factor Productivity – TFP) është tregues që mat rezultatin ekonomik sipas të gjitha inputeve që shfrytëzohen për të gjeneruar këto mallra dhe shërbime, si puna, kapitali, energjia dhe materialet. Sipas këtij treguesi, gjatë pandemisë produktiviteti në Republikën e Maqedonisë së Veriut ra për -4.5 në krahasim me dhjetë vitet e fundit para krizës, kryesisht si rezultat i rënies së produktivitetit të punës (që nënkuptohet, duke pasur parasysh mbylljen e degëve të tërësishme të ekonomisë për shkak të masave parandaluese shëndetësore).
Për krahasim, në vendet e tjera të Evropës Juglindore, ulja në krahasim me periudhën para krizës është -2.6. Ndërsa, në periudhën pas pandemisë, në rajon ky tregues bëhet pozitiv (1.5), që tregon se produktiviteti ka arritur dhe tejkaluar nivelin para pandemisë, me ç’rast ky tregues tek ne është ende negativ, para së gjithash për shkak të rimëkëmbjes më të ngadalësuar të sasisë dhe cilësisë së produktivitetit të punës.
Kur shohim pasqyrën e përgjithshme ekonomike, çfarë na tregojnë këto të dhëna? – Për ta shpjeguar këtë në mënyrë më të thjeshtë, le ta shohim të gjithë ekonominë si një punëtori. Zejtari prodhon produkte, të cilat më pas i shet. Ka aftësi për të podhuar dhjetë produkte në ditë. Në të njëjtën kohë, në një punëtori tjetër, një zejtar tjetër prodhon njëzet produkte në ditë sepse ka aftësi më të mira, mjete më të mira, përdor mënyra inovative për të punuar më shpejt. Ky është raporti i ekonomisë sonë në krahasim me një ekonomi të zhvilluar. Prandaj, në ekonomitë e zhvilluara, pagat dhe standardi i jetesës janë proporcionalisht më të larta. Kur kësaj i shtohet cilësia e përpunimit, inovacioni në teknologji, organizimi dhe plasmani i prodhimit, disproporcioni bëhet edhe më i madh. Kjo është logjika ekonomike e rritjes së pagave dhe përmirësimit të standardit të jetesës – ai që prodhon dhe shet më shumë produkte do të jetojë më mirë.
Kapitali njerëzor: Këtu fillon produktiviteti dhe rritja
Si të arrijmë paga dhe standarde më të mira jetese? – Përmes rritjes së produktivitetit. Përmes politikave të duhura duhet të veprohet ndaj faktorëve strukturorë, të cilët nga ana tjetër do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë dhe sasisë së produktivitetit të punës dhe shfrytëzimit më të mirë të kapitalit dhe burimeve. Këtu është kapitali – investimi në infrastrukturë, dixhitalizimi i proceseve, inovacioni, por mbi të gjitha investimi në kapitalin njerëzor.
Lidhur me investimet në të mira afatgjate, infrastrukturë dhe në këtë mënyrë përmes një axhende ambicioze – Plani për përshpejtimin e rritjes ekonomike, me ç’rast kam shkruar shumë. Tani do t’i referohem më shumë kapitalit njerëzor, sepse këtu fillon gjithçka.
Rritja e cilësisë së kapitalit njerëzor ka rëndësi të jashtëzakonshme për rritje dhe zhvillim ekonomik inkluziv dhe më të qëndrueshëm, rritje të produktivitetit, përfshirje në tregun e punës dhe plakje të popullsisë. Përkufizimi i kapitalit njerëzor nënkupton shkallën e arsimit, njohurive, aftësive dhe shëndetit në të cilat njerëzit investojnë dhe akumulojnë gjatë gjithë jetës, gjë që u lejon atyre të realizojnë potencialin e tyre të plotë dhe të jenë anëtarë produktivë të shoqërisë. Prandaj, kapitali njerëzor është burimi më i rëndësishëm për një vend, i cili kombinon faktorë të tjerë të prodhimit, përkatësisht kapitalin fizik. Investimi në kapitalin njerëzor ndikon në të hyrat e përgjithshme të ardhshme. Hulumtimet tregojnë se një vit shtesë shkollimi, rrit përfitimet për 9% në nivel vjetor.
Cilësia e kapitalit njerëzor në Republikën e Maqedonisë së Veriut është përmirësuar nga 0.54 në 0.56 ndërmjet 2010 dhe 2020, sipas Indeksit të kapitalit njerëzor të Bankës Botërore. Megjithatë, ky nivel është mjaft i ulët sepse do të thotë se, sot një fëmijë i lindur në Maqedoninë e Veriut, kur të rritet, do të shfrytëzojë vetëm 56% të produktivitetit të tij potencial. Për krahasim, një fëmijë i lindur në ekonomitë e zhvilluara do të arrijë 80% të produktivitetit të tij, ndërsa në BE mesatarja është 0.75 ose 75% e produktivitetit potencial.
Ndërtimi i kapitalit njerëzor do të thotë investim dhe avancim të arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, si dhe mjedisit të përgjithshëm ekonomik dhe social. Në këtë kolumnë do të fokusohem tek arsimi në interes të debatit publik dhe dialogut ekonomik dhe social që po zhvillohet këto ditë mes Qeverisë dhe sindikatave në arsim, ku është i përfshirë edhe kryeministri drejtpërdrejt me disa ministra. Të gjitha këto fusha janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe komplekse, përveç arsimit, pa shërbime shëndetësore cilësore dhe mbrojtje sociale nuk mund të pritet që produktiviteti të arrijë nivelin optimal. Por, në aspekt të hapësirës së kufizuar në këtë kolumnë, për këtë temë do të shkruaj në një rast tjetër.
Arsimi: 11 vite në bankë në vendin tonë ~ 7 vite në vendet e zhvilluara
Ashtu siç ndodh në shumicën e vendeve, kushtet e këqija arsimore janë kryesisht përgjegjëse për këtë humbje të produktivitetit. Në analizën sistematike të vendit, Banka Botërore thekson se mungesat e kapitalit njerëzor në Republikën e Maqedonisë së Veriut fillojnë që nga arsimi parashkollor, mandej vijon arsimi i detyrueshëm, deri në tranzicionin nga shkolla në punësim. Fëmijët në vendin tonë deri në moshën 18 vjeçare pritet të ndjekin 11 vite arsim parashkollor, fillor dhe i mesëm.
Megjithatë, kur vitet e shkollimit do të përshtaten sipas cilësisë së të mësuarit, kjo është e ekuivalente me vetëm 7.3 vite. Kjo do të thotë se fëmijët tanë humbin 3.7 vite në bankat shkollore, në raport me atë që duhet ta mësojnë dhe që kanë mësuar. Gjithashtu, përqindja e qasjes së fëmijëve në arsim në vendin tonë, nga arsimi parashkollor në atë të lartë, devijon në raport me mesataren në Bashkimin Evropian.
Sistemi arsimor jo gjithmonë arrin të sigurojë arsim cilësor, që është në dëm të krijimit të kapitalit njerëzor, e më tej edhe në dëm të produktivitetit dhe standardit të jetesës së një kombi. Sipas testimit PISA 2018 (që tregon rezultate më të mira krahasuar me vitin 2015), performanca e nxënësve tanë mbetet nën rezultatin mesatar të vendeve të BE-së dhe vendeve të rajonit. Sipas raportit të njejtë, gjysma e fëmijëve të moshës 15 vjeçare nuk kanë njohuri themelore në tre fusha: shkencë, matematikë dhe lexim.
Për zgjidhjen e kësaj çështjeje, nevojitet qasje strategjike, të cilën Qeveria e adreson përmes Strategjisë për kapitalin njerëzor. Para së gjithash, nxënësit duhet të jenë në shkolla, ku është vendi i tyre. Më tej, nevojitet mësim cilësor, zhvillim dhe kualifikime më të mira të mësimdhënësve, avancim të sistemit të zhvillimit profesional të kuadrit mësimor në të gjitha nivelet e arsimit dhe sigurisht plotësimin e nevojave profesionale dhe individuale të mësimdhënësve.
Mekanizmat për sigurimin e cilësisë janë me rëndësi esenciale për të siguruar mësim cilësor dhe qeverisje të mirë në nivel të institucioneve arsimore dhe në nivel të sistemit. Sigurimi efektiv i cilësisë kërkon monitorim adekuat dhe të rregullt të rezultateve të nxënësve dhe performancës së institucioneve arsimore, por gjithashtu edhe mekanizma të përkrahjes me të cilat do t’u ndihmohet që të përballen me sfidat.
Pagat, çmimet dhe inflacioni: çfarë kërcënimi paraqet spiralja inflacioniste?
Këtu sërish i kthehemi relacionit kapital njerëzor – paga – produktivitet. Që në fakt është një rreth vicioz që përsëritet gjithmonë. Mendoj për grevën njëjavore të disa punëtorëve të arsimit, të cilët kërkojnë rritje lineare të pagave, si rezultat i ngritjes së pagës minimale në 18.000 denarë.
Në fakt, është më se e qartë që ne si Qeveri zotohemi për rritjen e të gjitha pagave në vend apo më saktë për përmirësimin e standardit të jetesës si përcaktim i Programit qeveritar. Kjo reflektohet edhe në rritjen e pagës mesatare në 5 vitet e fundit për rreth 30%, pavarësisht asaj që në dy vitet e kaluara ekonomia botërore, përfshirë edhe ekonominë tonë, përballet me një nga krizat më të ashpra dhe më të mëdha ekonomike që ka ndodhur në botë. Para së gjithash, nëse kthehemi vetëm disa vite më parë, në nivel të ekonomisë së përgjithshme, paga minimale ishte rreth 9.000 denarë ose rreth 40% e pagës mesatare, që tregon hendekun e madh ndërmjet pagave, duke pasur parasysh se të punësuarit me pagë minimale përbëjnë rreth 15-20% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve. Rritja graduale e pagës minimale ka shumë arsye ekonomike dhe sociale, që rezultoi në përmirësimin eventual të standardit të jetesës së rreth 150 mijë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre.
Krijuam gjithashtu sistem real për harmonizimin vjetor të pagës minimale me 50% të rritjes vjetore të pagës mesatare dhe 50% të rritjes së kostove të jetesës. Gjithashtu, vendosëm edhe nivel sipas së cilit vlera e pagës minimale nuk mund të jetë më e ulët se 57% e pagës mesatare të publikuar sipas Entit Shtetëror të Statistikave. Bëhet fjalë për paga si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Impenjimi ynë si Qeveri është rritja e pagave si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik. Nëse në sektorin privat tregu përcakton nivelin e pagave, sipas ofertës dhe kërkesës së punës, si dhe produktivitetit të tij, kjo duhet të ndiqet edhe nga sektori publik i cili nga ana tjetër duhet të jetë efikas dhe të ofrojë shërbime cilësore për qytetarët dhe ekonominë, e cila duhet të jetë konkurruese dhe të arrijë nivel më të lartë të rritjes ekonomike, duke rritur kështu të ardhurat dhe duke ngritur standardin e jetesës dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Me fjalë të tjera, pagat në sektorin publik duhet ta ndjekin produktivitetin në sektorin privat dhe të kontribuojnë përmes rritjes së cilësisë së tyre. Përndryshe, në teorinë ekonomike, çdo rritje e pagave pa rritje të produktivitetit do të shkaktojë presione inflacioniste, që në kushte të inflacionit mund të nxisin më tej inflacionin (sipas analizës në Ministrinë e Financave, në ekonominë tonë koeficienti i korrelacionit të pagave dhe inflacionit është ndërmjet 0.37-0.44, përkatësisht rritja e pagave prej 1% do të gjenerojë inflacion prej rreth 0.4%).
Megjithatë, duhet t’i shohim rrethanat dhe kërkesat e disa punëtorëve publikë, duke përfshirë edhe një pjesë të kuadrit arsimor në kopshte dhe shkolla. Duhet të nënkuptohet se rritja e pagave bazë të mësimdhënësve me rreth 90% dhe rritja lineare e pagave me pothuajse 20% në kopshte (që sjell kërkesa për rritje të pagave në pjesën tjetër të sektorit publik), që në këto rrethana do të thotë nxitje të spirales inflacioniste.
Do përpiqem që të shpjegoj se si funksionon spiralja inflacioniste. Përballemi me trend global të rritjes së çmimeve. Rritja e çmimeve është rezultat i rritjes së çmimeve të importit të energjensave dhe ushqimeve në tregjet globale. Oferta është më e ulët, për arsye të shumta ndër të cilat edhe lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve. Në kushte të tilla, kur në ekonomi do të vendosni në qarkullim më shumë para, siç ndodh me rritjen e lartë të pagave, në disproporcion me rritjen e produktivitetit, do të ketë presion të ri nga ana e kërkesës. Rritja e kërkesës, për shkak të sasisë së madhe të parave, do të rrisë më tej, çmimin e produkteve. Për shembull, kur në ankand tre persona parashtrojnë oferta për një gjësend, atë do të fitojë ai që do të paguajë çmimin më të lartë për të dhe në fund, gjësendi çmimi fillestar i të cilit ishte 100 denarë do të përfundojë me çmim tre herë më të lartë se çmimi fillestar dhe ndoshta i justifikuar ekonomikisht. Në fund, një rritje e dukshme e pagave, pa mbështetje ekonomike, pa rritje adekuate të produktivitetit, do të zhvlerësojë të gjitha pagat. Në këtë drejtim, do të shtoj se për të ulur pritshmëritë mbi inflacionin, bankat qendrore tashmë kanë filluar gradualisht, por në mënyrë konkrete, të rrisin normat e interesit, përkatësisht të rrisin çmimin e parasë. Sfidë shtesë mund të jetë shmangia e stagflacionit, resprektivisht stagnimit të rritjes ekonomike ndërkohë që çmimet vazhdojnë të rriten – stagflacioni, i cili në fjalorin është më i keq se inflacioni.
Askush nuk thotë që pagat në arsim nuk duhet të rriten. Duhet të rriten dhe do të rriten. Vitet e kaluara ka pasur më shumë rritje si në arsim ashtu edhe në kujdesin ndaj fëmijëve. Si ministër i Financave, jam i pari që them se një nga investimet më të rëndësishme është investimi në arsim. Dhe jo vetëm në arsim. Duhet të rriten pagat edhe në shëndetësi… edhe në kulturë… edhe në mbrojtje… edhe në siguri… Por, duhet të japim rezultat ekonomik, të ndërgjegjësohemi për situatën globale dhe se ku po e shtyjmë ekonominë. Pra, parësore është që ekonomia të qëndrojë në mënyrë të fuqishme.
Ajo që duhet të na shqetësojë në vijim është kapitali njerëzor, përkatësisht gjeneratat e ardhshme – fëmijët tanë. Ata deri më tani kanë humbur 3.7 vite pa arsye në bankat shkollore – të mos lejojmë që të humbasin më tej nga kjo. Nga produktiviteti i tyre do të varet e ardhmja e ekonomisë sonë si dhe e pensioneve. Ndërtimi i sistemit solid dhe të shëndetshëm ku të gjithë shtojmë vlerë është i vetmi sistem që mund të na sjellë prosperitet dhe standard më të mirë të jetesës. Të punojmë të gjithë që të krijojmë diçka më të mirë, ndërsa rezultatet dhe shpërblimet do të vijnë në mënyrë të pashmangshme nëse të gjithë e marrim po aq seriozisht detyrën tonë.
Siç njoftoi Qeveria, pas takimit me sindikatat e arsimit, në ditët vijuese do të kemi zgjidhje që do të jenë në interes të gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme për standard më të mirë të mësimdhënësve, por njëkohësisht kjo të pasohet edhe me reforma, që do të thotë arsim më cilësor për nxënësit dhe studentët, gjegjësisht përmirësim i kapitalit njerëzor dhe kështu edhe rritje e produktivitetit dhe rritje e qëndrueshme ekonomike që duhet të na mundësojë standard më të lartë jetësor për qytetarët.
Post scriptum: Vit i krizës energjetike dhe inflacionit
E gjithë kjo ndodh në një periudhë krize globale energjetike dhe inflacioni nga e cila ne si ekonomi e vogël dhe e hapur jemi të prekur në mënyrë serioze. Ekonomia botërore nuk është rikuperuar ende plotësisht nga efektet e COVID-19 dhe në këto kohë të furishme krize energjetike, problem shtesë është edhe lufta në Ukrainë, e cila rrit edhe më tej pasigurinë e ekonomisë botërore, veçanërisht në kontinentin evropian ku bëjmë pjesë dhe ne. Kjo krijon pasiguri dhe çrregullon zinxhirët globalë të prodhimit, si dhe furnizimin me ushqime bazë dhe energjensa. Pasiguria, e cila gjeneron rritje të çmimeve në bursat botërore, krijon pasiguri në tregjet financiare dhe rrit normat e interesit, ngadalësim të rritjes (me rrezik të stagnimit), rritje të deficiteve fiskale në buxhet dhe borxhit publik. Kjo është periudhë e pasigurive të mëdha, në fakt është kohë e pozicioneve të reja gjeostrategjike në nivel botëror, që nuk është e njëjta gjë për ne, ne jemi pjesë e NATO-s, përpiqemi të jemi pjesë e BE-së dhe në këtë arenë gjeostrategjike jemi qartësisht të pozicionuar në anën e vlerave demokratike të Aleancës euroatlantike dhe të demokracive të zhvilluara të Evropës. Nëse shohim pasqyrën e përgjithshme, gjërat bëhen më të qarta!
Fatmir Besimi, ministër i Financave