Кumtesa|

1 shtator 2022, Shkup  – Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave, dispozitat e të cilit hyjnë në fuqi në datë 1 janar të vitit 2023, ishte një nga temat e koordinimit të rregullt mes guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhoska dhe ministrit të Financave, Fatmir Besimi dhe ekipeve të tyre. Ligji i ri përfshin dispozita që do ta stimulojnë hyrjen e ofruesve të rinj të shërbimeve të pagesave, gjë që do të kontribuojë në ofertë më të gjerë të shërbimeve më të lira të pagesave për qytetarët dhe kompanitë.Gjithashtu, me këtë ligj rregullohen më shumë zgjidhje për mbrojtje më të mirë të konsumatorëve, duke vendosur udhëzime dhe kufizime për kompensimet mbi shërbimet e pagesave, si dhe transparencë më e madhe.

Në këtë takim u theksua se në periudhën e ardhshme, institucionet do të punojnë për informimin e qytetarëve dhe kompanive për risitë që parashikon ky ligj sistemik. Ndër to është edhe vendosja e llogarisë së pagesave me funksione bazë, përmes së cilës qytetarët do të mund të kryejnë transaksione të pagesave për shlyerjen e detyrimeve të përditshme apo transfertën e mjeteve financiare te një person tjetër. Për realizimin e këtyre transaksioneve, qytetarët do të paguajnë kompensime me vlerë të arsyeshme, jo më të larta se 0.1% të pagës mesatare të paguar neto në vend, në dymbëdhjetë muajt e fundit (ose rreth 30 denarë), ku do të përfshihet posedimi i llogarisë në nivel mujor dhe të paktën pesë transaksione të pagesave në nivel mujor ndaj pranuesit në të njëjtën bankë. Llogaria e pagesës me funksione bazë do të jetë pa kompensim për shfrytëzuesit nga kategoritë e ndjeshme të qytetarëve.

Me Ligjin për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave, parashihen edhe mekanizma të tjera për mbrojten e konsumatorëve lidhur me kompensimet, si nënshkrimi i marrëveshjeve kornizë të unifikuara dhe parashihen disa lloje të kompensimeve, kufizimi i kompensimeve të zëvendësimit për pagesë me kartela, transparencë më e madhe dhe krahasueshmëria e kompensimeve për shërbimet lidhur me llogarinë e pagesës. Po ashtu, në fushën e shërbimeve të pagesave do përfshihen ofrues të rinj të shërbimeve të pagesave, që do të kontribuonin në zvogëlimin e çmimeve të shërbimeve.

Në këtë takim u diskutua edhe gjendja ekonomike aktuale dhe tendencat ekonomike në kornizë ndërkombëtare dhe te ne. U theksua se ruajtja e stabilitetit makroekonomik është prioritet për të dyja institucionet dhe se do të vazhdohet me koordinimin dhe monitorimin vigjilent të gjendjes, si dhe miratimin e politikave të duhura.

 

 

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *