Кumtesa|

Shkup, 1 qershor 2023 – Në 31 maj u mbajt  takimi i katërt i grupit punues dhe mbikëqyrjen e zbatimit të Strategjisë për edukim financiar dhe përfshirje financiare, aktivitetin e të cilit e koordinon Banka Popullore, dhe ku morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave, Komisionit të Letrave me Vlerë, Agjencisë për Mbikëqyrje të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve, si dhe subjekte nga sektori privat dhe civil. Në takim mori pjesë edhe përfaqësues i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZhE) i cili prezantoi rezultatet e anketës së realizuar në vitin 2022 mbi edukimin financiar të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVE) në Europën Juglindore (EJL). Raporti i mëposhtëm, i titulluar “Edukimi financiar dhe digjitalizimi për NMVE-të në EJL: Mjet për rritjen e kapaciteteve të pronarëve dhe menaxherëve” është përgatitur në kuadër të projektit rajonal të OBZhE-së dhe u zbatua me mbështetjen e Ministrisë së Financave të Holandës dhe platformës  Money Wise të saj. Raporti ofron dëshmi dhe analizë të niveleve të edukimit financiar të pronarëve dhe menaxherëve të NMVE-ve, ndërgjegjësimin e tyre dhe përdorimin e shërbimeve financiare dhe digjitalizimin e aktiviteteve financiare dhe të biznesit të NMVE-ve, duke mundësuar krahasime ndërmjet pjesëmarrësve në hulumtim nga rajoni, duke përfshirë edhe vendin tonë.

Njohuria financiare e menaxherëve dhe pronarëve të NMVE-ve në vendin tonë është vlerësuar me 69 (nga maksimumi 100), që është më e lartë se mesatarja e analizuar e vendeve në rajon (67). Pikët më të larta u arritën për komponentin e sjelljes financiare, pasuar nga njohuritë financiare dhe qëndrimet financiare, me të gjithë komponentët pak më lart ose në nivel të mesatares rajonale. Krahasuar me vendet e G-20-tës, rezultati mesatar për rajonin është më i ulët për 7 p.p., e cila tregon nevojën për të forcuar aftësitë financiare dhe qasje strategjike për të rritur njohuritë financiare të menaxherëve të NMVE-ve, në mënyrë që të forcohet qëndrueshmëria afatgjate e biznesit të këtyre firmave. Krahasimi i rezultateve tona në lidhje me ndërgjegjësimin e NMVE-ve për produktet financiare tregon se ndërgjegjësimi i pronarëve dhe menaxherëve të NMVE-ve të cilët përdorin kredi për financimin e bizneseve në vendin tonë është më i lartë krahasuar me mesataren e rajonit, ndërsa në pjesën tjetër të parametrave të vlerësuar – vetëdija për financimin me kapital dhe llojet e tjera të financimit dhe ndërgjegjësimi për përballimin e rreziqeve, pikët janë pak më të ulëta ose korrespondojnë me rezultatet në rajon. Gjetjet tregojnë për përfitimet e zhvillimit të mëtejshëm të tregut të kapitalit dhe mënyrave alternative të financimit, në mënyrë që të zgjerohen opsionet financiare për NMVE-të, pronarët dhe menaxherët e tyre.

Për sa i përket digjitalizimit, nota mesatare në vendin tonë është pak më e ulët se në rajon. Në të njëjtën kohë, u vlerësua se digjitalizimi i NMVE-ve në rajon mbetet prapa vendeve të zhvilluara, gjë që tregon nevojën për përmirësim të mëtejshëm.

Gjetjet dhe përfundimet në Raport ofrojnë dëshmi të dobishme për të mbështetur punën e mëtejshme në edukimin financiar dhe përfshirjen financiare të NMVE–ve, në pajtim me Strategjinë kombëtare. Kjo do të krijonte parakushte për përmirësimin e aksesit në financa nga NMVE-të. Aktivitetet në këtë sferë pritet të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të këtij segmenti dhe ekonomisë në tërësi. Në këtë takim u prezantua përvoja në Hungari e zbatimit të Platformës Digjitale – aplikacion për edukim financiar “Learning-by-doing-financial education”, me atë që ka sektori privat dhe civil kanë mundësi për t’u njohtuar me platformat edukative  që mund të zbatohen në ekonomitë tjera.

Përmes këtyre takimeve të punës, të cilat mbahen dy herë në vit, mundësohet dialog i rregullt ndërmjet rregullatorëve, subjekteve nga sektori privat dhe civil të përfshirë në veprimtaritë e edukimit financiar, si dhe shkëmbimin e propozimeve dhe përvojave për forcimin e përfshirjes financiare dhe mbrojtjen e konsumatorëve në sistemin financiar, me qëllim zbatimin me sukses të Strategjisë për edukim financiar dhe përfshirje financiare.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *