27 qershor 2023 , Shkup – Derisa financat publike janë në rrugën e duhur, ekonomia është drejt rimëkëmbjes. Reforma tatimore dhe tatimi i solidaritetit duhet të miratohen sa më shpejt dhe pa vonesa të mëtejshme. Nevojitet kufizimi i pagave në sektorin publik për shmangien e ngarkesës së rëndë të financave publike dhe nxitjen e inflacionit të lartë. Këto janë shkurtimisht konkluzionet e politikës fiskale të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Jacques Mignan, i cili në fillim të muajit qershor i shqyrtoi kushtet dhe politikat ekonomike në vend, në kuadër të Marrëveshjes së shfrytëzimit të linjës së likuiditetit dhe përkujdesjes (PLL).
Ashtu siç theksohet në kumtesën e publikuar nga FMN-ja, rimëkëmbja ekonomike e vendit është në zhvillim e sipër, me rritje reale të PBB-së së projektuar në 2.1 për qind këtë vit dhe 3.4 për qind në vitin 2024. Gjithashtu edhe inflacioni është në rënie dhe pritet të ulet në 9.2% gjatë këtij viti, vitin e ardhshëm në 3.5% ndërsa në vitin 2026 të rikthehet në normën prej 2%.
Nga fondi theksohet se financat publike janë në rrugën e duhur dhe se presin që deficiti të jetë në kuadër të Buxhetit të miratuar të vitit 2023. Megjithatë, siç theksojnë ata, vonesa sa i përket miratimit të reformës tatimore dhe tatimit të solidaritetit mund të ndikojë në të hyrat tatimore.
Në këtë kontekst, ata rekomandojnë miratimin pa vonesë të reformës tatimore, në hartimin e së cilës FMN-ja ka kontribuar dhe që ka pasur një periudhë të gjatë konsultimi publik, si dhe të tatimit të solidaritetit. Përpjekjet për përmirësimin e arkëtimit të tatimeve duhet të vazhdojnë edhe në vazhdim.
Sa i përket pagave në sektorin publik, FMN-ja vë në dukje se tashmë ka hapësirë në buxhetin e pushtetit qendror për rritjen e pagave me rreth 10%, duke përfshirë edhe harmonizimin e pagës minimale këtë vit. Megjithatë, çdo gjë që tejkalon këtë vlerë, do të krijonte një barrë të madhe dhe të përhershme për buxhetin dhe do të ishte gjithashtu një rrezik për kostot e tjera thelbësore. Rritjet e mëdha të pagave në sektorin publik janë gjithashtu një rrezik që inflacioni i përkohshëm i lartë të kthehet në inflacion të lartë të përhershëm.
Për sa i përket çmimeve të energjisë elektrike, fondi thekson se bllok-tarifat janë hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Megjithatë, siç theksojnë ata, çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë në vendin tonë mbetet tejet i subvencionuar dhe ndër më të ulëtit në Evropë. Ata theksojnë se duhet të vazhdohet me reformën në këtë drejtim, të rritet efikasiteti energjetik dhe dalëngadalë të përjashtohen subvencionet.