17 korrik 2024, Shkup – Tridhjetë e një miliardë denarë janë siguruar me Propozimin e ribalancit të Buxhetit për vitin 2024, i cili u miratua mbrëmë vonë në seancën e Qeverisë. Me këtë ribalanc sigurohen mjete të nevojshme për shlyerjen e detyrimeve të maturuara dhe mjete për detyrimet e ndërmarra në përputhje me ligjet, të cilat nuk ishin planifikuar me Buxhetin e vitit 2024. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, sot në konferencën për media i arsyetoi ndryshimet e miratuara. “Ribalanci i Buxhetit për vitin 2024 hapi shumë çështje dhe shumë “befasi” të papritura. Gjendja e keqe në buxhet i tejkaloi pritshmëritë tona. Hasëm në situatë që tregon se vendi ynë gjendet në kaos dhe borxhe. Buxhet që është listë dëshirash, përkundër zhvillimit. Pagesa të ridimensionuara.
Ekonomi në vdekje klinike. Prandaj përgatitja e ribalancit nisi nga disa supozime, përkatësisht, sa mjete mund të rishpërndahen në Buxhetin aktual nga zërat që shënojnë realizim të dobët, planifikim të mjeteve, që edhe pse ka pasur detyrim ligjor, nuk janë paraparë, si dhe detyrime të maturuara ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Qëllimi është që me këtë ribalanc, Qeveria e re ta përmirësojë gjendjen e pjesës më të madhe të qytetarëve dhe komunitetit të biznesit, duke përfshirë bujqit, të rinjtë, personat e moshës madhore, sportistët etj.”, theksoi ministrja e Financave.
Me ribalancin në fjalë, të hyrat e përgjithshme planifikohen të jenë në nivel prej 318.150 miliardë denarëve dhe të shënojnë rritje prej 2.6%, që është rezultat i rritjes së realizimit të kontributeve për shkak të rritjes së pagave për një pjesë të institucioneve publike, si dhe pritshmërive për rritjen e pagave në sektorin privat. Shpenzimet e përgjithshme planifikohen në nivel prej 362.816 miliardë denarëve dhe shënojnë rritje prej 5.6% në krahasim me projeksionet fillestare. Në bazë të të hyrave dhe shpenzimeve të projektuara në këtë mënyrë, deficiti buxhetor planifikohet të jetë në nivel prej 44.7 miliardë denarëve, përkatësisht 4.9% të PBB-së. “Devijimi (shmangia) nga rregulli fiskal te deficiti buxhetor, kryesisht është për shkak të nevojës së sigurimit të mjeteve financiare të domosdoshme për funksionimin e pandërprerë të institucioneve dhe servisimit të detyrimeve. Rreth 20 miliardë denarë janë siguruar përmes rishpërndarjes nga zëra të ndryshëm, si mallra dhe shërbime te të gjithë shfrytëzuesit nga investimet kapitale.
Ndërsa, 11 miliardë denarë shtesë janë siguruar për pagesën e detyrimeve të maturuara, si dhe detyrimeve që ishin ligjore, por që nuk kanë qenë të planifikuara” theksoi ministrja Dimitrieska – Koçoska, ku shtoi se, deficiti buxhetor është prezantuar në mënyrë joreale në Buxhetin fillestar për vitin 2023 për rreth 7 miliardë denarë, duke pasur parasysh faktin se pensionet për muajin dhjetor janë paguar në muajin janar të vitit 2024. Me këtë ribalanc ministrja theksoi se janë siguruar 4.1 miliardë denarë për pagesën e pagave.
Pesë miliardë denarë për pagesën e pensioneve, 600 milionë denarë për pagesat e aktvendimeve gjyqësore, 1 miliard denarë për ndihmën financiare të ZZHTI-së, 644 milionë denarë për pagesën e shujtave dhe bursave studentore, 1.7 miliardë denarë për sigurimin shëndetësor, pushimin mjeksor dhe detyrimet e tjera të maturuara, 1.7 milardë denarë subvencione për bujqësinë, 550 milionë denarë vauçerë për sportin, 80 milionë denarë për Byronë e Zhvillimit të Arsimit, 1.3 miliardë denarë për pagesën e kthimit të TVSH-së përmes masës TVSH-ja Ime, si dhe 132 milionë denarë pagesë ndaj fondeve të BE-së, për shkak të keqpërdorimeve të konstatuara. Me ribalancin janë siguruar mjete shtesë prej 6 miliardë denarëve për investime kapitale në komuna, si dhe mjete për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për procesin zgjedhor.
Sipas ministres ajo që paraqet risk më të lartë janë pagesat e detyrimeve mbi garancitë e emetuara për kreditë që i ka marrë shteti dhe ndërmarrjet publike shtetërore, si dhe interesi. “Ishin të nevojshme 5.1 milardë denarë për servisimin e detyrimeve kreditore ndaj instucioneve financiare ndërkombëtare në emër të shtetit dhe ndërmarrjeve publike, që janë emetuar me garanci shtetërore. Këto janë mjete të cilat për shkak të menaxhimit jo të duhur në këto ndërmarrje, duhet edhe një herë t’i paguajnë qytetarët, prandaj duhet të ketë përgjegjësi në këtë drejtim. Gjithashtu, edhe 822 milionë denarëve janë siguruar për interesin, për shkak të rritjes së një pjese të interesit lidhur me euroborin”, theksoi ministrja dhe shtoi se, deri në vitin 2028, duhet të maturohet interesi në vlerë prej 1.8 milardë eurove.
Po ashtu, ministrja në konferencën për media theksoi se, i palogjikshëm është aspekti që disa institucione kanë rreth 14 miliardë denarë në llogaritë e tyre dhe se institucionet duhet të kuptojnë se ato kryejnë veprimtari publike, shpenzojnë para publike dhe se ato mjete duhet të shfrytëzohen në mënyrë ekonomike që të ulet barra mbi buxhetin. “Për këto mjete merren kredi për të cilat interesi vjetor është gati 13 milionë euro, prandaj mendoj se, çdo institucion duhet t’i verifikojë ligjet e veta sipas të cilave ka në dispozicion llogaritë vetanake dhe t’i shfrytëzojë për shpenzime rrjedhëse apo shpenzime kapitale që të ulet barra mbi buxhetin.
Aktualisht, ato para janë në llogari pa asnjë efekt pozitiv, përkundrazi, krijojnë vetëm shpenzime. Duhet ta kuptojmë faktin se duhet të punojmë të gjithë në interes të qytetarëve sepse bëhet fjalë për para publike”, theksoi Dimitrieska-Koçoska. Ajo shprehu bindjen se, përkundër të gjitha sfidave në ribalanc, Buxheti për vitin 2025 do të sjellë shpresë të re, planifikim shumë më të mirë dhe më ekonomik, si dhe realizim përfundimtar të projekteve që do të kenë vlerë të shtuar për të gjithë ekonominë, me ç’rast qytetarët dhe komuniteti i biznesit do të ndjejnë efekte pozitive dhe standard më të mirë jetese. Propozimi i ribalancit të Buxhetit për vitin 2024, tashmë i miratuar në Qeveri, do të dërgohet në Kuvend.