1 tetor 2024, Shkup – Zëvendësministri i Financave, dr. Nikollçe Jankullovski, realizoi takim koordinues me drejtorin e Drejtorisë së Çështjeve Pronësore dhe Juridike, Zoran Kërstanoski dhe me drejtorin e Drejtorisë së Zbulimit Financiar, Kujtim Ibishi, kushtuar ndryshimeve në ligjet për eksporprijimin dhe ndryshimeve në Ligjin e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit.
Bëhet fjalë për dy zgjidhje ligjore, aplikimi i të cilave është në kuadër të këtyre dy institucioneve që janë në kompetencë të Ministrisë së Financave.
Me këtë propozimligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit adresohen mangësitë në dispozitat e ligjit të përcaktuara me Raportin e raundit të 5-të të evaluimit të sistemit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga Komiteti MONEYVAL i Këshillit të Evropës, i miratuar në muajin maj të vitit 2023, theksoi zëvendësministri i Financave.
Ai shtoi se arsyeja shtesë për miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të propozuara është edhe fakti se në të përfshihen zgjidhjet, sa i përket harmonizimit të plotë me legjislacionin e BE-së, që është relevant për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, përkatësisht harmonizimin me:
– Direktivën 2015/849 për parandalimin e shfrytëzimit të sistemit financiar për qëllimet e pastrimit të parave ose financimin e terrorizmit;
– Direktivën 2018/843 të Parlamentit dhe Këshillit të Europës të datës 30 maj 2018 për ndryshimin dhe plotësimin e Direktivës (BE) 2015/849 për parandalimin e shfytëzimit të sistemit financiar për qëllimet e pastrimit të parave ose financimin e terrorizmit;
si dhe ndryshimit të
– Rregullativës 2023/1113 të Parlamentit dhe Këshillit të Europës të datës 31 maj 2023 për informacionet lidhur me transfertat e parave dhe mjeteve kripto, që do të thotë avancimi i standardeve të përcaktuara evropiane, ndër të tjera të nevojshme në procesin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në platformën – Zona e Vetme Evropiane e Pagesave (SEPA – Single Euro Payments Area).
Në lidhje me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit të Eksproprijimit, ashtu siç theksoi zëvendësministri, po kryhet harmonizimi me Ligjin e Ndërtimit sa i përket ndërtimit të objekteve energjetik të kategorisë së parë dhe të dytë, si ndërtime me interes publik, si dhe përputhshmërinë terminologjike me Ligjin e Ekspertizës, sipas të cilit tani është përcaktuar Byroja e Vlerësimit, në vend të Byrosë së Ekspertizës Gjyqësore, si institucion që kryen vlerësimet në procedurat e eksproprijimit.
Po ashtu, po kryhet edhe riprecizimi i procedurave të ligjit i cili i referohet kufizimeve të tjera të së drejtës pronësore, përkatësisht parashihet mundësia e vazhdimit të afatit edhe për dy vjet të tjera për posedimin e përkohshëm të tokës fqinje. Kjo për shkak se në kushtet e ndërtimit të objekteve dhe infrastrukturës me interes strategjik për shtetin, për të cilat është i nevojshëm një afat kohor më i gjatë për ndërtim, afati i deritanishëm prej dy vjetësh nuk është i mjaftueshëm, për këtë arsye mundësohet zgjatja e afatit kohor prej dy vjetësh në bazë të propozimit të arsyetuar të parashtruesit të eksproprijimit.
Risi në këtë ligj është parashikimi i mundësisë së përcaktimit të përfaqësuesit të përkohshëm, të propozuar nga Oda e Avokatëve, si përfaqësues i të drejtave dhe interesave të personave që do të kërkonin trashëgimi në rastet kur pronari i pasurisë së patundshme që eksproprijohet është person i vdekur, përkatësisht person me vendbanim ose vendqendrim të panjohur. Në këtë mënyrë nga njëra anë mundësohet realizimi i pandërprerë i interesit publik, dhe nga ana tjetër sigurohet mbrojtja përkatëse e interesave të pronarëve të patundshmërisë që është objekt i procedurës.
Risia që përmban ligji i propozuar është riprecizimi dhe plotësimi i dispozitave që i referohen procedurës për anulimin e aktvendimeve të plotëfuqishme të eksproprijimit dhe zgjidhjen e marrëveshjeve të arritura në procedurë, kur për shkak të ndryshimit të dokumentacionit urbanistik planor ose projektues, përkatësisht afati për ndërtimin ka përfunduar, interesi publik i patundshmërisë së eksproprijuar nuk do të realizohet.