10 prill 2025, Shkup – Qeveria do të vazhdojë diskutimet me administratën e SHBA-së për vendosjen e tregtisë së lirë, theksoi ministrja e Financave në deklaratën për media nga Forumi Ekonomik në Delfi, ku në pjesën ekonomike, në fokus janë vendimet e fundit të SHBA-së për doganat.
“Është e rëndësishme që Evropa është e përgatitur, respektivisht shumë e qetë. Këtu janë të pranishëm përfaqësues nga Banka Botërore, FMN-ja dhe BERZH-i dhe shoh qetësi mes tyre. Mendoj se gjërat do të kthehen shumë shpejt në normalitet. Njëri aspekt ishte diskutimi i djeshëm me norma shumë të larta doganore, ndërsa sot është diçka tjetër, diçka që mund ta përballojë edhe ekonomia amerikane. Nuk pres ndonjë përkeqësim të madh, veçanërisht për ekonominë maqedonase. Konkluzionet e ekonomistëve në këtë forum janë se ky është fundi i globalizimit dhe se ekonomistët janë unanim se Amerika do të pësojë më së shumti sepse aty presin inflacion dhe rritje shumë të ulët ekonomike”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.
Ajo paralajmëroi se javën e ardhshme do të udhëtojë në Uashington për Takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore, ku do ta shfrytëzojë mundësinë për takime në Thesarin e SHBA-së.
“Pse të mos përpiqemi ta shfrytëzojmë situatën në dobinë tonë. Diskutimi për tregtinë e lirë vazhdon dhe nuk do të heqim dorë” theksoi Dimitrieska – Koçoska.
Sipas saj, nga këto vendime më së shumti do të pësojë ekonomia amerikane. Siç shtoi ajo “Atje, respektivisht mund të thuhet se nëse vendimet vazhdojnë po në atë drejtim, do të hyjnë në stagflacion, përkatësisht rritja do të ulet, ndoshta do të ketë rritje negative dhe inflacion në vendin e tyre, me ç’rast e gjithë kjo, në Evropë do të reflektohet me vonesë”, theksoi ministrja e Financave.
Ministrja Dimitrieska-Koçoska po merr pjesë në Forumin e 10-të Ekonomik që po mbahet në qytetin e Greqisë, respektivisht në Delfi.