22 janar 2020, Shkup – Me mjete grant të Bashkimit Evropian në vlerë prej 372.650 euro përmes fondeve IPA është furnizuar pajisja e sofistikuar moderne dhe aparate për laboratorin doganor. Sot, ministrja e Financave Nina Angellovska, ambasadori i Bashkimit Evropian në vend Samuel Zhbogar dhe drejtori i Drejtorisë doganore Gjoko Tanasoski e vizituan Laboratorin doganor në të cilën është vendosur pajisja e re.
Janë furnizuar instrumente dhe pajisje ndihmëse, kryesisht teknika kromatografike që ekzaminon shënuesit në naftën e kuqe dhe derivatet e naftës, cilësinë e derivateve të naftës dhe përmbajtjen e squfurit, përmbajtjen e alkoolit në pijet alkoolike dhe përmbajtjen e sheqerit dhe yndyrës në prodhimet ushqimore.
Ministrja e Financave Angellovska theksoi se me pajisjen e laboratorit, Dogana do mund të ofrojë shërbime më efikase në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit jetësor, pagesën e detyrimeve në buxhet dhe konkurrencën e drejtë të tregut. Ajo tha se nga ushqimi në pjata, deri tek karburanti në rezervuarët e automjeteve, të gjitha ato mallra kalojnë nëpër laboratorin doganor.
-Për shembull, deri më tani derivatet e naftës janë testuar me metoda klasike që kanë zgjatur më gjatë, kanë përdorur ekzemplarë më të mëdha dhe nuk e kanë përbërjen e plotë. Tani me aparaturën e furnizuar dhe të sofistikuar për një kohë më të shkurtër, me sasi më të vogël të ekzemplarit fitohet përbërje më e detajuar kimike. Pjesa më e madhe e analizave të derivateve të naftës është realizuar deri më tani edhe përmes laboratorëve të jashtëm, me autsorsing, janë shpallur tendere për të cilën ka qenë e nevojshme shpenzime dhe kohë shtesë. Tani nuk do të jetë kështu, përkatësisht ekzaminimet do të realizohen në këtë laborator – tha Angellovska.
Ministrja theksoi se përveç pajisjes në laboratorin doganor është investuar edhe në kapitalin njerëzor, përkatësisht përmes programi tuining, të punësuarit janë trajnuar për pajisjen e re.
Ambasadori i BE-së Zhbogar theksoi se pajisja e re do të kontribuojë në sigurinë e prodhimeve dhe shëndetin e qytetarëve dhe mjedisit, si dhe në parandalimin e mashtrimeve, por do të kontribuojë edhe në mbledhjen efikase të akcizave dhe detyrimeve doganore.
– Kjo pajisje, e cila është e vendosur në Institutin e kimisë, tregon se punëtorët shkencor dhe institucionet publike mund të punojnë së bashku dhe të kontribuojnë për të mirën e qytetarëve dhe shoqërisë në përgjithësi – tha Zhbogar.
Përndryshe, modernizimi i laboratorit doganor është parashikuar edhe në Planin Strategjik të Drejtorisë Doganore 2018-2020.
-Faza përfundimtare e modernizimit të laboratorit doganor janë aktivitetet e orientuara në përmbushjen e kërkesave për akreditim të laboratorit doganor në përputhje me ISO 17025:2017, i cili duhet të zbatohet gjatë vitit 2020 – tha drejtori i Drejtorisë doganore Tanasoski.
Deri më tani përmes IPA janë lidhur marrëveshje në vlerë prej 8,8 milionë euro për mbështetjen e projekteve doganore, resprektivisht për forcimin e kapacitetit administrativ, softuerit dhe projekteve tjera që synojnë modernizimin e Doganës dhe harmonizimin e tyre me praktikën dhe legjislacionin evropian.