Kredi nga BERZH-i në vlerë prej 70 milionë € nga Plani aksional për Qytet të gjelbër për transport urban më të mirë dhe zvogëlim të ndotjes së ajrit
- Shkupi është i pari që vendos sistem për transport të shpejtë me autobusë në Ballkanin Perëndimor
- Kredi nga BERZH prej 70 milionë € në kuadër të Planit aksional për Qytet të gjelbër
- Autobusë të rinj me efikasitet energjetik do të ofrojnë shërbime më të mira dhe do të kontribuojnë për mjedis jetësor më cilësor
21 prill 2021, Shkup – Shkupi, si një nga qytetet më të ndotura në Evropë, do të bëhet qyteti i parë në Ballkanin Perëndimor që do të vendosë sistem për transport të shpejtë me autobusë (BRT), falë kredisë në vlerë prej 70 milionë € të siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për përkrahjen e transformimit kryesor drejt transportit të qëndrueshëm dhe do të reagojë ndaj nevojave urgjente ekologjike të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut.
Sistemi i ri i transportit urban parashikon vendosjen e korridoreve prioritare të autobusëve që do të dedikohen për autobusë me efikasitet energjetik ose hibrid, që do të sigurojnë transport publik të shpejtë, të përshtatshëm dhe ekonomik. Komponentet inovative siç janë arkëtimi i biletave në terminalet automatike, biletat elektronike dhe rregullimi dinamik i shërbimeve, do të rrisin cilësinë e shërbimeve në nivel të ri. Udhëtarët do të kenë dobi nga transporti i shpejtë dhe i shpeshtë publik, të cilin do të mund ta përcjellin përmes informacioneve të përditësuara në kohë reale. Kështu, qyteti i Shkupit do të demonstrojë se si shfrytëzohen konceptet e mënçura për përmirësimin e shërbimeve.
Njëkohësisht, sistemi i ri do të kontribuojë në zvogëlimin e konsiderueshëm të emetimeve të ndotësve të ajrit, për të cilat transporti është kryesor në Shkup, një qytet i cili ka 550.000 banorë. Sipas planeve, sistemi i ri BRT-së parashikon zvogëlimin e emetimit të monoksidit të karbonit me mbi 95 përqind, të grimcave PM me afërsisht 90 përqind dhe të oksidit të azotit dhe dioksidit të karbonit prej më së paku një të katërtën.
Ky është projekti i tretë në Shkup në kuadër të BERZH-it Qytete të gjelbra, program inovativ për përkrahje të zhvillimit të qëndrueshëm urban, ku kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut u përfshi në vitin 2019. Banka dhe pushtetet e qytetit zhvilluan Planin aksional gjithëpërfshirës që identifikon emetimet në ajër nga transporti urban si prioritet që duhet zgjidhur në mënyrë urgjente. Ky investim në transportin e shpejtë me autobusë realizohet sipas këtij Plani aksional.
Në nënshkrimin e projektit Fatmir Besimi, ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut tha: “Kur iniciativat për krijimin e ekonomisë “së gjelbër” më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme do të përputhen me përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike nga kriza e kovidit, përfitimet për ekonominë e Maqedonisë do jenë të shumëfishta. Gjatë këtij viti dhe në vazhdim, do të investojmë në projekte që do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit jetësor, do të lehtësojnë transportin, do të kontribuojnë në kursimin e kohës dhe burimeve të energjisë, do të mundësojnë rritje të investimeve dhe vendeve të punës, si dhe do të sjellin përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë.
E përkrah tranzicionin e gjelbër. Gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme duhet që të thithin ajër më të pastër dhe të udhëtojnë në mënyrë më të shpejt dhe më të sigurt.”
Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve, shtoi: “Qëllimi përfundimtar i projektit është të sigurohet transport i ri publik në Shkup, përmes rrjetit të transportit efikas dhe ekonomik. Vendosja e autobusëve ekologjikë do të zvogëlojë ndotjen e ajrit dhe do të sigurojë transport të shpejtë, të sigurt dhe cilësor. Roli ynë është të sigurojmë infrastrukturë dhe shërbime bashkëkohore, përmes të cilave ky koncept i transportit të shpejtë do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve. ”
Andi Aranitasi, përfaqësuesi i BERZH-it për Maqedoninë e Veriut, tha: “Jemi të kënaqur që sot po bëjmë këtë hap të madh në drejtim të avancimit të shërbimeve të transportit të Shkupit. Projekti do të përkrahë përpjekjet e qytetit në ballafaqimin me sfidat e transportit publik në mënyrë më efikase dhe të strukturuar, përmes përgatitjes dhe implementimit të planit të qëndrueshëm urban të mobilitetit, i cili do të çojë në përmirësimin e transportit publik dhe ta bëjë atë më tërheqës, me qëllim që të zvogëlohet përdorimin i automjeteve private. Ballafaqimi me ndotjen në Shkup është prioritet dhe e përshëndesim përkushtimin e pushteteve për aksion vendimtar dhe të shpejtë, ku BERZH-i është në gatishmëri për përkrahje të plotë, që dëshmohet edhe me nënshkrimin e sotëm të këtij projekti. ”
Petre Shilegov, kryetari i Komunës së Shkupit deklaroi: “Jemi krenarë që Shkupi është qyteti i parë në Ballkanin Perëndimor që vendos BRT. Për qytetarët e Shkupit, kjo është realizim i ëndrrës 40 vjeçare. Bëhemi me sistem transporti më të mirë sipas nevojave tona. Bëhemi me transport publik të shpejt, të sigurt dhe të qëndrueshëm, që do të jetë tërheqës dhe do të zvogëlojë bllokimin e trafikut dhe ndotjen e ajrit. ”
BERZH-i është investitori kryesor institucional në Maqedoninë e Veriut. Deri më tani, ka investuar mbi 2.13 miliardë € përmes 142 projekteve në vend. Banka fokusohet në zgjerimin e sektorit privat lokal, promovimin e integrimit rajonal dhe ndërkombëtar dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve në vend.