22 prill 2021, Shkup – “Buxheti është likuid dhe të gjitha detyrimet në vend si dhe ndaj kreditorëve të huaj paguhen në kohë. Pensionet për këtë muaj, me vendim të Qeverisë, do të paguhen nga data 26 prill, pagesa e masave bëhet në kohë, shpenzimet kapitale realizohen sipas dinamikës së planifikuar, të ardhurat në Buxhet janë më të mira se vitin e kaluar, ndërsa papunësia zvogëlohet. Masa për linjën kreditore nga BEI është në procedurë përfundimtare, me realizimin e së cilës, përqindja e zbatimit të masave do të rritet në 92%. Firmat, që nga dita e djeshme – 21 prill aplikuan për mbështetje financiare për pagesën e pagave për muajin shkurt dhe mars, ndërsa në Kuvend u miratuan edhe ndryshimet e këtij ligji i cili mundëson pagesën e kategorive të ndjeshme të qytetarëve që ishin të përfshirë nga masa për mbështetje financiare, por atë nuk mund ta shfrytëzonin për shkak të të dhënave të papërditësuara në banka”, theksoi zëvendësministri i Financave, Dimitar Kovaçevski, i ftuar në emisionin “Çka mendon populli”, në TV Star të Shtipit.
Kovaçevski thotë se në Shtip, më e prekur është industria e tekstilit dhe se masat në pakon e pestë janë targetuar drejt industrive më të prekura, ku me realizimin e tyre do të mundësohet rivitalizimi i ekonomisë.
Ai theksoi se në të njëjtën ditë, kur u miratuan ligjet për Pakon e pestë të masave nga Kuvendi, Pakoja e gjashtë e masave u miratua nga Qeveria, e cila kryesisht është dedikuar për ndihmë në drejtim të hotelierisë. Kjo tregon se institucionet relevante dhe Qeveria reagojnë në mënyrë të shpejtë dhe në kohë, që kjo ndihmë të arrijë tek ata që kanë nevojë të domosdoshme për të.
Zëvendësministri Kovaçevski tha se politikat dhe masat ekonomike që janë realizuar kanë dhënë rezultatin e pritur, ashtu siç tregojnë edhe të dhënat makroekonomike.
Në dy muajt e parë, eksporti i mallrave regjistroi rritje nominale prej 9.8% në bazë vjetore, me ç’rast me dinamikë të përforcuar vazhduan trendet pozitive në këtë segment. Importi i mallrave regjistroi rritje nominale prej 4.4%, që kontribuoi në uljen e deficitit tregtar për 11%. Shfrytëzimi i kapacitetit të prodhimit, gjithashtu rritet për shfrytëzim me 71% në muajin shkurt që është në nivel të para krizës.
Të dhënat për tregtinë e brendshme për dy muajt e parë, siç deklaroi, tregojnë rritje nominale të qarkullimit prej 0.5%, që vijon pas periudhës së rënies, që zgjati gjatë tërë vitit 2020. Paga mesatare neto vazhdon të rritet që nga fillimi i vitit, me rritje prej 2.7% në muajin shkurt.
Të dhënat më të fundit nga Agjencia e punësimit tregojnë gjithashtu për trendin pozitiv lidhur me punësimin. Në muajin shkurt të këtij viti, janë evidentuar 159.608 persona të papunësuar, ndërsa në muajin mars të këtij viti janë evidentuar 145.327 persona të papunësuar.
Lidhur me realizimin e Buxhetit nga fillimi i vitit, përfshirë datën 15 prill, të ardhurat janë më të larta për 7.8% krahasuar me vitin e kaluar.
“Duke pasur parasysh bazën e krahasimit vitin e kaluar, e cila kryesisht nuk ishte përfshirë nga kriza e koronës, ky është rezultat me të vërtetë pozitiv. Arkëtimi i tatimeve dhe kontributeve është më i lartë për 8.7% në këtë periudhë, me ç’rast tek tatimet vërehet rritje prej 11.6%, ndërsa tek kontributet rritja shënon 4.7%. Rritja e arkëtimit të tatimeve është kryesisht si rezultat i rritjes së TVSH-së për 17.7%, rritjes së tatimit mbi fitimin prej 10.2% si dhe detyrimeve të importit prej 17.1%. “Shpenzimet servisohen rregullisht dhe në kohë, ndërsa deficiti buxhetor është sipas planit,” deklaroi Kovaçevski i ftuar në këtë emision.