22 nëntor 2024, Shkup – Sot, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, nënshkruan Memorandumin e bashkëpunimit, i cili për dy ministritë ka si pikësynim arritjen e efikasitetit më të madh në konfrontimin me krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe mundësimin e reagimeve të shpejta, të koordinuara dhe efektive. Në këtë ngjarje, drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev dhe drejtori i Drejtorisë Doganore, Boban Nikollovski, nënshkruan Protokollin lidhur me zbatimin e memorandumit ndërmjet dy ministrive, ime të cilin rregullohet dhe konkretizohet bashkëpunimi mes tyre për luftimin efikas të të gjitha llojeve të krimit. Nënshkrimi i memorandumit dhe protokollit është përkrahur nga misioni i OSBE-së në Shkup.
“Sot, nënshkruam dy dokumente me të cilat bëjmë një hap përpara në luftën kundër krimit, që paraqet kërcënim për zhvillimin e vendit. Qëllimi i këtij memorandumi është ndërhyrja dhe parandalimi, me të cilin krijohet baza e përforcimit të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve dhe organeve në kuadër të tyre që do të arrihet përmes veprimit të koordinuar, shkëmbimit të të dhënave, aktiviteteve dhe veprimeve të përbashkëta, shkëmbimit të informacioneve, lidhjes elektronike, si dhe edukimit të përbashkët dhe përsosjes profesionale të kuadrove”, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, e cila shtoi se nënshkrimi i këtij memorandumi paraqet vërtetim për përcaktimin tonë për t’u konfrontuar me krimin, duke pasur parsysh se memroandumi i fundit është nënshkruar në vitin 2006.
Ministri Toshkovski theksoi se ky lloj bashkëpunimi është krucial nëse dëshirojmë të kemi qasje gjithëpërfshirëse dhe efektive në luftën kundër krimit të organizuar.
“Këto dokumente që po i nënshkruajmë sot, realisht po gjejnë një mënyrë për të harmonizuar se si të përballemi me të gjitha sfidat që po e shkatërrojnë shoqërinë tonë në një farë mënyre. Vlerësoj se me bashkëpunim të përkushtuar dhe profesional ndërmjet institucioneve, kjo mund të dëshmohet në veprim. Shembull për këtë është aksioni i shkëlqyer, me ç’rast janë vënë para drejtësisë 14 doganierë, policë dhe zyrtarë të tjerë në kuadër të institucioneve, të cilët, duke shpërdoruar besimin e qytetarëve, kanë përfituar mjete të paligjshme. Me bashkëpunim të mirë dhe të organizuar ndërmjet shërbimeve të MPB-së, BSP-së dhe shërbimeve doganore, pamë se mund të arriheshin rezultate. Ky është qëllimi ynë, prandaj ekzistojnë këto institucione dhe vetëm kështu mund të tregojmë se realisht kemi vullnet për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Jam i sigurt për potencialin e njerëzve dhe institucioneve, vetëm duhet të fokusohemi, të dimë se cili është qëllimi përfundimtar dhe të përpiqemi në realizimin e tij”, theksoi ministri Toshkovski.
Drejtori i BSP-së, Janev, potencoi se Byroja e Sigurisë Publike pranë MPB-së është bartësja kryesore e aktiviteteve në fushën e punës së policisë dhe konfrontimin kundër krimit të organizuar, ndërsa kontrolli kufitar është një prej shtyllave të sistemit nacional të menaxhimit kufitar, parandalimit të kalimit ilegal të kufijve, kontrollit të trafikut ndërkufitar dhe mirëmbajtjes së rendit publik dhe paqes në vijën kufitare.
“Bashkëpunimi realizohet përmes harmonizimit të punës, veprimit të koordinuar dhe të përbashkët, si dhe avancimit të bashkëpunimit në nivel nacional (qendror, rajonal dhe lokal) dhe në nivel ndërkombëtar, shkëmbimit të të dhënave për përgatitjen e analizave të riskut/ menaxhimit të riskut, zbatimit të aktiviteteve dhe aksioneve të përbashkëta, formimit të grupeve dhe komisioneve të përbashkëta të punës, ofrimitm të asistencës së ndërsjellë profesionale dhe teknike, si dhe shfrytëzimit të përbashkët të pajisjeve dhe mjeteve teknike, shkëmbimit më të shpejtë dhe më efikas të informacioneve dhe të dhënave, lidhjes elektronike, si dhe edukimit të përbashkët dhe zhvillimit profesional të kuadrove”, theksoi drejtori Janev.
“Krimi i organizuar, tregtia ilegale dhe korrupsioni janë duke gjetur vazhdimisht mënyra të reja veprimi dhe ne patjetër duhet të reagojmë fuqishëm dhe me forca të përbashkëta. Me këtë memorandum dhe protokoll me BSP-në hedhim themelet për luftë edhe më të ashpër kundër krimit të organizuar nëpërmjet avancimit të bashkëpunimit dhe përforcimit të aktiviteteve në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe zbatimin e hetimeve të përbashkëta kriminalistike për arrestimin e autorëve”, theksoi Nikollovski.
Ai theksoi se tashmë edhe rezultatet tregojnë se po bëhet një luftë serioze kundër tregtisë ilegale. Nga 1 korriku deri më 20 nëntor janë regjistruar 252 raste të konfiskimit të mallrave, që është pothuajse 30 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë e vitit të kaluar. Numri i kallëzimeve penale është trefishuar, kryesisht për aktet e kontrabandës, mashtrimit doganor dhe shmangies së pagesës së akcizës. Sa përket arkëtimit të të hyrave, në muajin shtator është rritur për 9.4 për qind, në tetor për 5.9 për qind dhe deri në 21 nëntor arkëtimi është rritur për 8.6 për qind.
Zëvendësambasadorja e misionit të OSBE-së në Shkup, Susan Penksa, nënvizoi se Memorandumi i bashkëpunimit është kornizë jetike për promovimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fusha të tilla si shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës, operacionet dhe trajnimet e përbashkëta.
“Përmes kësaj qasjeje holistike, të dyja ministritë do të arrijnë efikasitet dhe efektivitet më të madh në ballafaqimin me autorët e krimit, si dhe në mundësimin e reagimeve të shpejta, të koordinuara dhe efektive”.
Protokolli i zbatimit të Memorandumit të bashkëpunimit është po aq i rëndësishëm dhe luan një rol të domosdoshëm në funksionalizimin e përcaktimit strategjik të tij. Ndërkohë që vazhdoni përpara, misioni i OSBE-së në Shkup është në dispozicionin tuaj për ta vazhduar historinë e gjatë të përkrahjes dhe bashkëpunimit me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut”, theksoi zëvendësambasadorja Penksa.